Lajme

  • Turgut Ozal Social Media

1 Qershor – kolegjistët festojnë me fëmijët e Qendrës Rajonale të Autizmit

Date: June 1, 2016 Author: erjona saqe Categories: Lajme, Lajme kryesore

Të dhurosh buzëqeshje, të falësh dashuri, të pranosh tjetrin ashtu siç është, të jesh krahëhapur për çdo bashkëmoshatar pa dyshim që janë vlera e virtyte që nxënësit e shkollë sonë i mbartin, i kultivojnë dhe i tregojnë në çdo situatë jetësore. Ndaj një grup nxënësish nga klasat e pesta të shkollës sonë e kaluan 1 Qershorin në një atmosferë festive me fëmijët e qendrave rajonale të Autizmit, në Farkë. Organizimi i festës ishte sjellë në një program, që gëzoi si fëmijët e qendrës, të cilët u ndjenë të përfshirë, të barabartë dhe të respektuar, ashtu edhe nxënësit tanë që u ndjenë të rritur e të maturuar. Fillimisht, ishin fëmijët e qendrës ata që treguan arritjet e tyre dhe, me këngët e vjershat dhuruan shumë emocione te prindërit, mësuesit dhe veçanërisht te nxënësit e shkollë sonë. Më pas, u erdhi radha nxënësve tanë të dhuronin buzëqeshje dhe emocione me interpretimet e tyre. Ishte mjaft emocionuese të shikoje se si disa nga fëmijët e qendrës u bashkuan me nxënësit e shkollës sonë në kërcimin e fundit të shfaqjes. Lumturia vërehej në sytë e të gjithë fëmijëve dhe duartrokitjet për vogëlushët vazhduan gjatë. Në fund të programit, të gjithë fëmijët u mblodhën së bashku për të bërë një foto si kujtim nga ky aktivitet. Ra menjëherë në sy afrimiteti, buzëqeshjet, fjalët e mira dhe përqafimet mes fëmijëve të qendrave dhe nxënësve tanë. Si falenderim për fëmijët, punonjësit e qendrës u dhuruan nxënësve tanë nga një libër. Më pas, përfaqësuesja e qëndrës rajonale të Autizmit Nr.1, Ariana Bekteshi, në emër të Fondacionit, u dhuroi nxënësve dhe mësuesve të shkollës sonë një punim artizanal me simbolin e kolegjit, punim ky i bërë nga duart e fëmijëve me autizëm.

Presidentja e Fondacionit Fëmijët Shqiptar Dr.Liri Berisha i përcolli festës këtë mesazh:

“Festat janë të bukura kur kalohen me miq dhe dashamirës, ndaj sot në ditën e fëmijëve do të doja shumë të falenderoja nxënësit dhe mësuesit e Kolegjit turk “Turgut Ozal” që kanë zgjedhur të kalojnë orët e kësaj dite të veçantë bashkë me fëmijët tanë.

Kjo qendër, ashtu sikurse edhe qendra nr.2 e autizmit në Sauk, janë bërë disa herë mikpritëse të fëmijëve të shkollave të ndryshme. Vizitat e tyre kanë qënë jo vetëm për t’u informuar rreth autizmit, fëmijëve me këtë çregullim dhe atë se çfarë bëhet për ta, por edhe si të hyjnë në bashkëveprim me këta fëmijë, për t’u socializuar.

Ardhja juaj sot këtu i ka dhënë një vlerë të madhe jo vetëm edukimit tuaj, por edhe formimit të fëmijëve tanë. Pra përfitimet janë të dyanshme.

Kjo sepse sot për fëmijët me aftësi të kufizuara, është shumë e rëndësishme që të ndihen të gjithpërfshirë në komunitetin ku banojnë dhe ku mësojnë. Të qënit bashkë me ju, i bën këta fëmijë të jenë barabartë, të ndihen të përfshirë e jo të veçuar ashtu sikurse ndodh rëndon, të respektohen e jo të diskriminohen, të integrohen e jo të harrohen.

Ndërsa për ju, kjo festë e përbashkët, ju rrit dhe ju maturon më shumë, ju mëson si të pranoni, të përshtateni dhe të respektoni çdo bashkëmoshatar që nuk është si ju. Kjo ju edukon si të bashkëveproni me ta pa lënduar dhe refuzuar njeri. Ju bën më të ditur dhe më të emancipuar.

Sot, ka fëmijë dhe të rinj me aftësi të kufizuara që askush nuk i fton për ditëlindje.
Ka fëmijë dhe të rinj që duan të jenë pjesë e një skuadre, por nuk pranohen, sepse është më e rëndësishme fitorja e një skuadre sesa formimi i një fëmije.

Festa të tilla të përbashkëta përjetësojnë pikërisht vlerat që sapo thashë më lart. 
Juve ju bën vizionar të së ardhmes, ndërsa fëmijët tanë i bën të ndihen të gjithpërfshirë dhe të integruar.

Fëmijët me nevoja të veçanta nuk janë të rallë apo të huaj. Ata duan atë që duan të gjithë të tjeret… duan të pranohen…! Angazhimi i mësuesve tuaj për të jetësuar këtë botëkuptim tek brezat e rinj është mision po aq fisnik sa profesioni i tyre.

Faleminderit”

 

 

Play Our Song