Bashkëbisedim me Kryetarin e Bashkisë së Tiranës, z. Erion Veliaj

Bashkëbisedim me Kryetarin e Bashkisë së Tiranës, z. Erion Veliaj

Më datë 11 tetor, nxënësit e klasave 5G dhe 5F vizituan Bashkinë e Tiranës dhe takuan kryetarin e saj, z.Erion Veliaj, për të biseduar rreth një projekti, i cili lidhet si me fushatën Kombëtare të Leximit, ashtu dhe me Muajin e Artit dhe Letërsisë që zhvillohet në shkollën tonë. Ky projekt ka si qëllim dhurimin e 854 librave për fëmijë të grumbulluar nga vetë nxënësit. Z. Veliaj shprehu kënaqësi dhe vlerësim për këtë iniciativë të fëmijëve dhe u sugjeroi atyre që të bëjnë një ndarje të librave në mënyrë që dhurimi të bëhet sipas grupmoshave:

*Librat për moshën 4-5 vjeç të dhurohen në kopshtet periferike të qytetit ku ka pak mundësi ekonomike;

*Librat e grupmoshës 6-10 vjeç të dhurohen në pediatri;

*Librat e grupmoshës 11-16 vjeç t’i bëhen dhuratë Shtëpisë së Fëmijës.

Më pas nxënësit zhvilluan një bashkëbisedim të ngrohtë me kryebashkiakun mbi orët që i kushtojnë leximit, librat që kanë lexuar së fundmi, aktivitetet që zhvillojnë në shkollë, sportet që ndjekin në kohën e lirë etj. Kryetari i bashkisë i inkurajoi nxënësit që të lexojnë sa më shumë, pasi çdo libër është si një udhëtim gjatë të cilit mëson plot gjëra të reja. Gjatë bisedës nxënësit vunë në dukje edhe disa probleme rrugore në zonën e shkollës së tyre dhe z.Veliaj foli për planet që ka bashkia për atë zonë dhe punën që po bëhet aktualisht aty.

Takimi u përmbyll me një foto të fëmijëve me z. Veliaj, mes të qeshurave dhe humorit që mbushën sallën e Këshillit Bashkiak.

Përgatiti nxënësja: Vivien Shkodra 7H

Mësuesja drejtuese: Erjona Saqe