DHUROJMË LIBRA PËR BASHKËMOSHATARËT TANË

DHUROJMË LIBRA PËR BASHKËMOSHATARËT TANË

Projekti më i fundit që u realizua këtë javë nga nxënësit e klasës 5G ishte një bashkëpunim mes shkollës “Turgut Özal” dhe Bashkisë së Tiranës për të dhuruar libra për fëmijë në tre shkolla publike në periferi të qytetit. Nuk ishin pak, por afërsisht 900 libra të grumbulluar nga nxënësit e shkollës gjatë këtij viti shkollor.

Projekti nisi në fillim të muajit tetor-Muaji i Artit dhe Letërsisë në shkollën tonë, që këtë herë përkoi edhe me Fushatën Kombëtare të Leximit “Unë lexoj…”.

Fillimisht, nxënësit zhvilluan një takim me kryetarin e bashkisë së Tiranës, z. Erion Veliaj, nga i cili morën mbështetjen dhe përgëzimet më të mira për këtë projekt.

Më pas, nxënësit e klasës 5G u morën me ngjitjen, rregullimin dhe paketimin e librave të dhuruar, në mënyrë që ata të ishin sa më të pastër e të rregullt kur të lexoheshin nga bashkëmoshatarët e tyre.

Ata, gjithashtu, zgjodhën edhe një përfaqësuese të klasës, nxënësen Meliora Veliaj, për ta prezantuar projektin e tyre në emisionin “Tangram”, në Ora News, me moton “Për një Shqipëri më të mirë”.

Data 16 nëntor ishte dita e xhirimeve të emisionit dhe e zbatimit të projektit. Që në orët e para të mëngjesit nxënësit u nisën me furgonat e shkollës drejt tre shkollave 9-vjeçare të kryeqytetit.

Shkolla e parë ku u bë dorëzimi i librave ishte “Hillari Klinton”, në Kamëz. Nxënësit e kësaj shkolle pritën me ngrohtësi bashkëmoshatarët e tyre kolegjistë dhe së bashku i vendosën librat e dhuruar në bibliotekën e kësaj shkolle.

Më pas, rrugëtimi vazhdoi drejt shkollës “Pal Engjëlli”, në Tufinë dhe “Lasgush Poradeci”, në Kombinat. Nxënësit pritës, drejtuesit, së bashku me përfaqësuesit e bashkisë së qytetit u uruan mirëseardhjen fëmijëve dhe i falenderuan ata për këtë dhuratë të dobishme dhe me kaq shumë vlerë për bibliotekat e këtyre shkollave.

Në fund, nxënësit e klasës 5G u kthyen në shkollë të lodhur, por të kënaqur që kishin bërë një punë të mirë duke pasuruar secilën bibliotekë shkollore me afërsisht 300 libra.

I gjithë klipi i filmuar pritet të shfaqet ditën e shtunë, më datë 19.11.2016, ora 21:00, në emisionin “Tangram”, në Ora News.

 

Përgatiti: Erjona Saqe