“Të mësosh një gjuhë tjetër, nuk është thjesht dhe vetëm të mësuarit e fjalëve të tjera për të njëjtat gjëra, por të mësosh një mënyrë tjetër sesi të mendosh për gjërat.”

Me këtë lajtmotiv u organizuan aktivitetet për Ditën Evropiane të Gjuhëve në 26 shtator edhe në kolegjin “Turgut Özal”.

Dita Evropiane e Gjuhëve,  26 shtatori, është shpallur nga Këshilli i Evropës më 6 dhjetor të vitit 2001, gjë që është përkrahur dhe nga Bashkimi Evropian. Qëllimi i saj është të nxitë mësimin e gjuhëve në të gjithë Evropën dhe si e tillë mbështetet në iniciativën e Këshillit të Evropës.

Aktivitetet e zhvilluara për këtë ditë në shkollën tonë ishin nga më të larmishmet, që nga posterat e projektet e ndryshme, interpretimet e poezive dhe dialogëve në gjuhë të ndryshme evropiane dhe në emocionet e veҫanta nga këngët e interpretuara me aq ndjenjë prej nxënëseve të talentuara të shkollës sonë.

Aktivitetet fillimisht u zhvilluan brenda klasave e paraleleve, për t’u finalizuar me një koncert plot ngjyra nga gjuhë të ndryshme evropiane në sallën e vogël të koncerteve të shkollës.

Aktivitete të tilla, në të cilat nxënësit tanë zhvillojnë të mësuarit e integruar përmes ndërveprimit dhe veprimtarive kreative, do të vazhdojnë përgjatë gjithë vitit shkollor.

Përgatiti: Imelda Prençe