Kush më mirë se nënat e di se sa përkushtim duhet që të përgatisësh një vakt të shëndetshëm dhe njëkohësisht të pëlqyer nga fëmijët. Kjo është sfida e tyre e përditshme dhe përsëri i shohim tek ndjekin nga pas të vegjëlit e tyre, me pjatën në dorë, të palodhura dhe me të njëjtin vullnet e dashuri çdo ditë.

Por çfarë metodash duhet të ndjekim në ushqyerjen e fëmijëve dhe cilat ushqime duhet të jenë në menunë e tyre, për këtë na informoi dietologia Blerina Bombaj, në vizitën që bëri  para disa ditësh në shkollën tonë. Së bashku me producentin Ardit Gjebrea, ajo realizoi rubrikën e saj “Ne jemi çfarë hamë“ në njërën nga mensat e shkollës dhe misioni i radhës ishte: “Të mësojmë fëmijët të ushqehen shëndetshëm”.

Këshillat e saj mjaft të vlefshme kishin të bënin me larmishmërinë e ushqimeve që duhet të ketë tryeza e shtëpisë sonë dhe mënyrën se si duhet t’i bindim fëmijët të hanë sa më shumë gjellë me perime e sa më pak ushqime të thata e të shpejta.

Pjesa më interesante e rubrikës ishte prova me nxënësit, e cila kishte si objektiv të zbulonte sa i hanë ata perimet.

Ne mensë ishin përgatitur dy tavolina me menu  të ndryshme: njëra kishte në përbërjen e saj fasulet dhe tjetra gjellën me spinaq e vezë. Fëmijët e tavolinës së parë hëngrën me shumë dëshirë fasulet, ndërsa shumica e fëmijëve në tavolinën me spinaq nuk e prekën fare pjatën dhe për të shuar urinë pritën me padurim ardhjen e patateve të skuqura, të servirura enkas në fund të vaktit.

Kjo provoi dhe një herë se ata nuk i preferojnë aq shumë perimet e zarzavatet dhe  se sa e vështirë është për prindin ta ushqejë fëmijën me produkte që kanë sasi e cilësi të lartë të vlerave ushqyese.

Megjithëse ata kërkojnë shpesh që t’u japim ushqime të shpejta, ne nuk duhet të heqim dorë asnjëherë nga parimi i të ngrënurit me lugë, sepse siç thotë  dhe Blerina: “Puna e prindërve për të ushqyer fëmijët është si një luftë e pandërprerë, por që mund të fitohet me qetësi, durim dhe insistim”.

Përgatiti: Elda Rrustemi

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *