Lajme

  • Turgut Ozal Social Media

Ekskursioni në Shkodër

Date: November 3, 2016 Author: erjona saqe Categories: Lajme, Lajme kryesore

Në  28 tetor,  ishte qyteti i Shkodrës që mikpriti në një ekskursion mësimor dhe zbavitës nxënësit e klasave të 8-ta.

Nisja u bë nga ambientet e kolegjit,  në një atmosferë tejet  të gëzuar.

Përpara nisjes  nxënësit vizituan Panairin e Ushqimeve të klasave të 6-ta, si për të mos e humbur dhe këtë kënaqësi. Muzika e mirë dhe shakatë,  të cilat  nuk mungojnë kurrë në udhëtime të tilla, ishin bashkëshoqëruese të gjithë udhëtimit.

Ndalesa e parë në qytetin e Shkodrës ishte kalaja e Rozafës, me madhështinë dhe lashtësinë e saj,  simbol i qëndresës së këtij qyteti.  Bukuria e saj, muzeu dhe  skulptura në hyrje të muzeut, e cila interpreton shumë bukur dhe përjetëson edhe legjendën e kalasë shekullore, u fiksuan në fotot e shkrepura dhe pozat e shumta.

Dreka u shijua në një restorant  tradicional,  i cili ndodhej buzë lumit  Buna, nga ku u sodit edhe bukuria që i fal lumi këtij qyteti.

Por emocionet më të mëdha, nxënësit i përjetuan në vazhdim të ekskursionit, te kompleksi Perla  afër liqenit të Vaut të Dejës, në një lojë zbavitëse me erën e furishme.

Rrugëtimi për në Tiranë ishte i qetë e pa shumë zhurmë. Të gjithë kishin kaluar një ditë të lodhshme, por të mbushur me momente të gëzueshme e pse jo, me dëshirën për t’u rikthyer sërish në vendet e shumta turistike e tërheqëse që ky qytet ofron.

 

Përgatiti nxënësja: Enisa Dalipi

Udhëhoqi mësuesja: Imelda Prenҫe

 

 

Play Our Song