Është e njohur dhe motivuese fjala e urtë Kush mbjell një pemë, mbjell një jetë, ndaj nxënësit e klasës së 3F iu përgjigjën pozitivisht dhe me padurim ftesës së bërë nga prindërit e nxënësit Frenklin Zekaj në kompaninë “FZ Construction”, për të mbjellë pemë te kompleksi i ri i banimit pranë Liqenit të Thatë.

Në ambientet e këtij kompleksi fëmijët u gjendën shumë pranë me natyrën. Të vegjël dhe kureshtarë ata patën mundësi të shihnin e të ushqenin me duart e tyre disa lepuj, pula e qenushë që kishin shtëpizën e tyre në brendësi të kompleksit. Teksa luajtën te këndi i lojërave, fëmijët shijuan kekun me reçel e çokollatë dhe lëngun e saposhtrydhur të frutave, që mami Nevila, i kishte përgatitur me dashuri, enkas për fëmijët. Gjithashtu, si për t’i shtuar më shumë ngjyra e gjallëri aktivitetit, prindërit e Frenklit kishin porositur për të gjithë fëmijët tullumbace me helium, të cilat do lidheshin te çdo pemë e mbjellë nga nxënësit, për t’i dalluar ato nga të gjitha pemët e tjera të kompleksit.

Gëzimi dhe padurimi lexohej qartë në sytë dhe veprimet e fëmijëve. Secili donte të mbillte një pemë dhe të lidhte në trungun e saj të hollë tullumbacen, dhe pse jo, t’i vinte pemës emrin e vet. Të tërhequr nga puna fizike ata harruan lodhjen, lopatat e rënda, baltën nga toka e lagësht apo ndriçimin e fortë të diellit. Në përfundim të misionit të gjelbër, dorëzuan mjetet e punës dhe u bënë gati të kthehen përsëri në shkollë pranë librave, ku do të flisnin për bimët dhe rëndësinë e tyre, por mbi të gjitha për ditën fantastike që kaluan.

Përgatiti: Erjona Saqe

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *