“Ju uroj për këtë iniciativë të shkëlqyer që ju e keni bërë traditë tashmë. Falenderoj shumë ‘Turgut Özal’, sepse është një nga kolegjet, i cili investon shumë për brezin e ri. Dhe vërtetë sot jemi të emocionuar. Përpara nesh pamë talente të reja, disa prej të cilëve ndoshta nesër do të bëhen artistë. Dhe mendoj që e ardhmja e tyre do të jetë e sigurtë, sepse përveç investimit të kulturës që marrin në këtë kolegj, ata bëhen dhe njerëz më të mirë për të ardhmen.”

Kështu u shpreh artistja Mimoza Mevlani, Mjeshtre e Madhe Pune, në momentin e ndarjes së çmimeve të Konkursit të Interpretimit, në Finalen e Konkurseve të Muajit të Artit dhe të Letërsisë, që u zhvillua mes shkollave: “Turgut Özal” Tiranë, “Turgut Özal” Durrës, “Hasan Riza Pasha”, “Mist” dhe “Mehmet Akif ”, më 16 dhjetor në ambientet e Kolegjit “Turgut Özal” Tiranë. Ishin 166 nxënës që konkurruan mes tyre në fushën e këngës, interpretimit, kompozicionit dhe artit figurativ, të ndarë sipas kategorive përkatëse. Kategoria e parë (4-5-6), kategoria e dytë (7-8-9) dhe kategoria e tretë (10-11-12). Kjo Finale e Madhe, paraprihet nga konkurset reciproke të zhvilluara në secilën shkollë dhe një pune përgatitore dhe të përkushtuar, si prej nxënësve ashtu dhe prej mësuesve. Vlerësimi i nxënësve konkurrentë bëhet nga një juri profesioniste për secilën fushë. Në konkursin e këngës në juri ishin emrat e njohur të skenës shqiptare: Irma Libohova, Rovena Dilo dhe Kejsi Tola. Kurse në konkursin e interpretimit në juri ishin aktorët e mirënjohur të kinematografisë dhe teatrit shqiptar: Rajmonda Bulku, Mimoza Mevlani dhe Sokol Angjeli. Vlerësimi i krijimeve dhe vizatimeve u bë prej mësueseve me përvojë në këto fusha të shkollës sonë. Gjatë gjithë aktivitetit emocionet ishin të pranishme kudo, si te konkurrentët dhe te juria, por momenti më emocionues i këtij aktiviteti ishte momenti i ndarjes së çmimeve dhe i dhënies së medaljeve nxënësve fitues.

Urojmë suksese të mëtejshme në vitet që vijojnë, për të gjithë nxënësit pjesëmarrës në këtë konkurs!

Punoi: Esmeralda Dibra

 

 

 

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *