FINALJA E MUAJIT TË ARTIT DHE LETËRSISË

FINALJA E MUAJIT TË ARTIT DHE LETËRSISË

Mes emocioneve, etheve dhe buzëqeshjeve, ditën e shtunë, më datë 17 dhjetor 2016 u zhvillua Finalja e Konkursit të Artit dhe Letërsisë. Në ambientet e Kolegjit “Turgut Özal” Tiranë, u zhvillua faza finale e Konkursit të Këngës, Interpretimit, Krijimit dhe Pikturës, ndërsa në ambientet e kolegjit “Turgut Özal”, Durrës, finalja e Artit Skenik. Finalistët e dalë nga konkurset e secilit lloj, të zhvilluara në Kolegjet “Turgut Özal” Tiranë, “Turgut Özal” Durrës, “Hasan Riza Pasha” Shkodër, “Mehmet Akif” (vajza), “Mehmet Akif” (djem) dhe MIST, u përballën në një garë të fortë mes njëri-tjetrit. Emocionet dhe ankthi për një përfaqësim sa më të mirë për veten, por edhe për shkollën ku studiojnë, ndiheshin te ҫdo konkurrent.

Po aq të emocionuar ishin dhe prindërit, të cilët shoqëronin fëmijët e tyre në këtë aktivitet.

Konkursi i Këngës u zhvillua në sallën e madhe të koncerteve, ku interpretimi live i këngëtarëve të vegjël solli shumë emocion te anëtarët e jurisë, të cilët u ndjenë si në një koncert profesionistësh të vërtetë.

Juria ishte tërësisht profesioniste, e përbërë nga emra mjaft të njohur të artit dhe të skenës shqiptare.

Në jurinë e këngës ishin:

  1. Xhovalin Lazri
  2. Alma Strazimiri
  3. Edlira Gjoni

Po i njëjti emocion, u përcoll edhe në sallën e vogël, në të cilën u zhvillua Konkursi i Interpretimit.

Edhe në jurinë e Interpretimit ishin emra mjaft të njohur të skenës shqiptare, si:

  1. Alfred Trebicka
  2. Violeta Trebicka
  3. Rozi Kostani
  4. Erjona Kakeli

Më e qetë ishte atmosfera në sallat ku zhvillohej Konkursi i Kompozicionit dhe ai i Pikturës. Talentet e vegjël të këtyre fushave e kishin lënë të lirë imagjinatën për ta surprizuar më vonë jurinë me punimet e tyre.

Ndërsa në Durrës, skena e teatrit të shkollës ndërroi krejtësisht pamjen e saj nën interpretimet e disa prej pjesëve më të bukura teatrale si: “Mbreti Lir”, “Cuca e maleve”, “Përrallë nga e kaluara”, “Borgjezi fisnik”, “I sëmuri për mend” etj.

Juria e Artit Skenik ishte e përbërë nga artistë të njohur të teatrit “Aleksandër Moisiu”, Durrës:

  1. Mimoza Marjanaku
  2. Edmond Halili
  3. Marvin Tafaj
  4. Xhejni Fama
  5. Era Çaushi
  6. Elios Ibro

Kemi besim se juri të tilla, profesioniste, kanë zgjedhur më të mirët.

Jemi në pritje të publikimit të fituesve.

 

Përgatiti: Erjona Saqe