Aktiviteti i Panairit Ushqimor që është zhvilluar përgjatë më se tre javësh nga klasat 1-9, u finalizua nga grupet e kopshtit. Salla ku u organizua gumëzhinte nga zërat gazmorë të vogëlushëve, të cilët kishin zënë vend mbrapa tavolinave, duke mbajtur ushqime të ndryshme në duart e njoma dhe duke e bërë atmosferën shumë  mikpritëse dhe të ëmbël. Panairi ka arritur të mbledhë një sasi të konsiderueshme  të ardhurash, duke realizuar qëllimin. Nxënësit u impenjuan në maksimum për ta bërë sa më frytdhënëse shitjen e ushqimeve. Secili paralel e mori me shumë seriozitet këtë aktivitet dhe fëmijët bënë të pamundurën për ta bërë klasën përkatëse fituese ndër të tjerat. Megjithatë konkurrenca nuk ishte kryesorja, madje mund të themi se kjo “garë” midis klasave ishte krejt miqësore. Në fund të fundit nuk mund të ketë “garë për fitore”, në një veprimtari që bëhet  për një kauzë të mirë dhe ku janë  fëmijët ata që janë argëtuar më tepër e që kanë përvetësuar më së miri vlerat e bashkëpunimit, bujarisë dhe aftësive fitimprurëse.

Tani nuk mbetet tjetër, veçse përfaqësuesit e Klubit Shpresa të fillojnë ndarjen e ndihmave dhe të sjellin sadopak gëzim e buzëqeshje tek ata që kanë më shumë nevojë!

 

Punoi: Vivien Shkodra

Udhëhoqi: Elda Rrustemi

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *