Klubi i Medias i mori një intervistë nxënësit fitues të Kangaroo Global Linguistic (KGL) për grupmoshën 10 vjeçare, Kesler Mziu, për ta pyetur mbi emocionet dhe mbresat e tij nga konkursi që zhvilloi vetëm para pak ditësh në Greqi.

Intervistuesja: Përshëndetje Kesler!

Kesleri: Përshëndetje!

Intervistuesja: Ti sapo je kthyer nga Greqia, ku more pjesë në konkursin Kangaroo Global Linguistic. Na trego pak për fillimet e këtij konkursi dhe arsyen pse more pjesë në të.

Kesleri: Fillimisht mora pjesë në fazën e parë të konkursit që u zhvillua në Tiranë. Si shumë fëmijë të moshës sime u regjistrova në konkurs për të parë se si ishin njohuritë e mia në gjuhën angleze, krahasuar me fëmijët e tjerë kudo në vendin tonë. Çmimi i parë për grupmoshën 10-vjeçare më gëzoi pa masë dhe më bëri të shtoj besimin te vetja.

Intervistuesja: Ky ishte hapi i parë i parë i konkursit. Po më pas si vazhdoi? Jemi kureshtarë të dimë për eksperiencën tënde në konkursin ndërkombëtar, mbresat nga ky konkurs dhe përjetimet e tua në momentin e shpalljes fitues i vendit të parë.

Kesleri: Siç e thatë edhe ju, konkursi në Tiranë ishte hapi i parë, i cili më krijoi mundësinë të isha pjesëmarrës në Greqi. Aty konkurrimi ishte më i fortë, pasi merrnin pjesë fëmijë nga vende të ndryshme si: Shqipëria, Rumania, Bullgaria, Greqia, deri dhe nga Japonia.

Organizimi i konkursit në Greqi ishte shumë ndryshe nga ai i Tiranës. Ditën e parë bëmë njohjen me bashkëmoshatarët nga vendet e tjera që merrnin pjesë në konkurs. Ajo ishte dita ku të gjithë zumë shokë e shoqe të rinj, pasi kishte shumë fëmijë e të rinj nga disa shtete dhe të tërë ishin tepër miqësorë. Dita e dytë ishte e mbushur me emocionet e konkursit. Ky konkurs u zhvillua përsëri në tre faza:

Në fillim na morën në një intervistë dhe kjo ishte faza e provimit me gojë.

Më pas, zhvilluam ushtrime në kompjuter dhe kjo ishte faza e dytë, ajo e gramatikës.

Ndërsa faza e tretë ishte ajo e shkrimit të një letre në gjuhën angleze drejtuar një bashkëmoshatari kudo në botë. Këtu vlerësohej jo vetëm sa saktë shkruan në gjuhën angleze, por edhe sa e bukur dhe me kuptim ishte e gjithë letra që kishe shkruar.

Mbasdite u ndanë çmimet dhe unë zura përsëri vendin e parë. Lumturia ime dhe e njerëzve të mi ishte shumë e madhe. Kur u thirr emri im u ndjeva krenar për familjen time, shkollën ku mësoj, por mbi të gjitha isha krenar për vendin tim.

Intervistuesja: Ju falenderoj për intervistën Kesler dhe ju uroj shumë suksese!

Kesleri: Faleminderit juve.

 

Intervistoi: Erjona Saqe

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *