Lajme

  • Turgut Ozal Social Media

Këndoj me zërin e zemrës për Ty, e shtrenjta ime Shqipëri!

Date: November 26, 2016 Author: erjona saqe Categories: Lajme, Lajme kryesore

Festat e 28 dhe 29 Nëntorit, si për ҫdo vit jehojnë madhërishëm në shkollën tonë. Përmbyllja e aktiviteteve të muajve të Letërsisë, Artit dhe Historisë, nuk mund të jetë më bukur se me koncertet festive kushtuar këtyre datave. Vargjet dedikuar Atdheut, këngët, vallet e kostumet popullore me ngjyrat e trevave të ndryshme të Shqipërisë, të shpalosura mes lëvizjeve plot elegancë të valltarëve të vegjël, përcollën emocione pa fund te pjesëmarrësit. Atmosfera kuq e zi ndihet kudo, sikundër në zemrën e ҫdo shqiptari, jehon dashuria dhe krenaria për atdheun, si  kënga e shqiponjave që buçet si rrufe, simfoni e përjetshme e këtyre maleve kreshnike, e këtij populli të lavdishëm…

Shqipëria jonë e dashur feston Festën e Pavarësisë dhe Festën e Ҫlirimit. Me mijëra yje xixëllojnë në qiellin shqiptar dhe rrethojnë flamurin kuqezi të shpalosur, që valëvitet  krenar dhe i pamposhtur në ajrin e pastër të lirisë, sepse shpirti dhe zemra e shqipes do të fluturojnë gjithmonë krenare në hapësirat e kaltra qiellore. Një popull që ka në gjak lirinë e në zemër veҫ një emër Shqipërinë!

 

Përgatiti: Imelda PRENҪE

 

 

 

Play Our Song