S’ka poet, shkrimtar, muzikant apo piktor që nuk është frymëzuar nga stina e bardhë e dimrit. S’ka fëmijë që nuk është joshur nga bardhësia e dëborës dhe me thirrje magjike është ftuar për të luajtur me të. Ndërsa në ditët e ftohta të dimrit, Tirana hodhi pelerinën e bardhë mbi supe, nxënësit e klasës së 8B e sfiduan të ftohtin për një shëtitje në malin e Dajtit. Të shoqëruar nga mësues, të lumtur dhe plot gjallëri nxënësit mbushën kabinat e teleferikut për të shkuar në fushën që funksionon si kamping në stinën e verës. Biseda, të qeshura, peizazhi pafundësisht i bukur shoqëroi nxënësit gjatë lëvizjes për atje. Zbritja u qeshi shpirtin nxënësve, kur përpara tyre gjigantët halorë kishin ulur degët si në shenjë mirëseardhjeje. Bashkë me ta qeshi dhe natyra, që pak më parë dukej si e përgjumur. Të gjithë fëmijët vraponin, qeshnin, bënin topa bore e gjuanin njëri – tjetrin duke u argëtuar pafund. Luajtën në parkun e lojërave, shkruan mbi dëborë, ndërtuan një njeri prej bore dhe me keqardhje u larguan për t’u ngrohur dhe shijuar pije të ngrohta në një prej lokaleve mbi kurorën e Dajtit. Të kënaqur nxënësit u shoqëruan sërish për në shkollë.

Përgatiti: Enkelejda Velo

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *