Klasat e 8-ta në Panairin Ushqimor

Klasat e 8-ta në Panairin Ushqimor

Mes muzikës dhe ambientit të hareshëm, Panairi Ushqimor vijoi me pjesëmarrjen e klasave të teta. Nxënësit, të motivuar nga aktiviteti bamirës, ishin shumë të zellshëm në përzgjedhjen dhe shitjen e ushqimeve. Larmishmëria e gatimeve dhe përkushtimi i klasave për t’i bërë ato sa më të veçanta dhe speciale binte në sy menjëherë. Kjo përveç se tregonte shumëllojshmërinë e ngjyrave dhe shijeve, krijonte atmosferën e një konkurrence simpatike midis nxënësve.

Secila klasë përdorte mënyra nga më të ndryshmet, për të tërhequr vëmendjen e blerësve te produktet e tyre. Në çdo tavolinë mbizotëronin ëmbëlsirat, që u pëlqyen shumë, sidomos nga fëmijët.

Të gjithë ishin shumë të përfshirë, jo vetëm tek blerjet e ushqimeve, por edhe tek mesazhi shumë i rëndësishëm që ky panair përcjell çdo vit. Në sytë e nxënësve dallohej vlerësimi që ata kanë për rolin bamirës që Klubi Shpresa luan në komunitetin tonë. Ky vlerësim shprehej qartë jo vetëm tek fondet që u mblodhën gjatë panairit, por edhe tek dëshira e nxënësve për të shpërndarë buzëqeshje kudo që ato ndihma shkojnë.

Falenderojmë nxënësit e shkollës “Turgut Özal”, prindërit e tyre dhe stafin organizues për realizimin e këtij aktiviteti bamirës dhe u urojmë klasave në vazhdim suksese në panairet e ardhshme.

Punoi: Rei Korkuti 9E

Drejtoi: Imelda Prençe