Fillimi i këtij muaji ishte special për disa prej nxënësve të shkollës sonë. Gjatë javës së parë, nga data 3-6 mars u zhvillua një udhëtim që zgjati 4 ditë, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nxënësit qëndruan në qyetin e Nju Jorkut, ku u akomoduan në hotelin “Doubletree” nga Hilton Financial District. Ky qytet është më i populluari në Shtetet e Bashkuara të Amerikës  dhe qendra e zonës metropolitane të shtetit të Nju Jorkut. Në Nju Jork ka selinë Organizata e Kombeve të Bashkuara, e cila është një qendër e rëndësishme për diplomacinë ndërkombëtare dhe kryeqytetin kulturor e financiar të botës. Pikërisht OKB ishte pjesë e vizitës së nxënësve të klasës së shtatë dhe të gjashtë. Emocionet e fëmijëve ishin mjaft të mëdha, ndonëse të vegjël, ata e kuptonin privilegjin dhe mundësinë unike për të qenë pjesë e atyre ambienteve, ku përfaqësues nga shtete të ndryshme janë pjesë e rëndësishme e vendimarrjeve në botë. Gjithashtu pjesë e vizitës ishte dhe Statuja e Lirisë (Statue of Liberty). Madhështia e këtij monumenti ia la vendin diskutimit të fëmijëve me njëri-tjetrin për të ndarë emocionet e përbashkëta dhe fotove të ndryshme, për t’i bërë këto çaste kujtime të paharruara, si në memorien elektronike, ashtu dhe në atë njerëzore. Quhet ndryshe “Udhëkryq i Botës”, sheshi “Times Square” në Nju Jork, i cili është dhe vendndodhja për një nga festat më të mëdha të vitit, ku një turmë gati prej një milion njerëzish festojnë Vitin e Ri. Një ndër vendet më të bukura të kësaj shëtitjeje ishte “Central Park”, i cili është parku urban më i vizituar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe  një nga destinacionet më të vizituara turistike në Nju Jork. Parku shtrihet në një sipërfaqe prej 3.4 kilometra katrorë brenda të cilit ndodhen disa liqene natyrore, vende për shëtitje, kopshti zoologjik e botanik. Të vizitoje këtë park në këtë periudhë të vitit ishte e magjishme, pasi gjelbërimi dhe lulëzimi të linte pa fjalë.

Empire State Building, ndërtesa më e lartë në Nju Jork, ishte një tjetër surprizë e këtij udhëtimi për madhështinë që të ofronte. Një ndërtesë kjo 381 metra e lartë dhe me 102 kate. Emri i saj rrjedh nga pseudonimi i shtetit New York, Empire State, që në gjuhën shqipe ka kuptimin shteti perandorak. Deri më sot “Empire State Building” është vizituar nga 117 milion vizitorë, duke u bërë pjesë e tyre dhe nxënësit shqiptarë të shkollës sonë. Muzeu Metropolitan i Artit, (Metropolitan Museum of Art), një tjetër destinacion i mrekullueshëm përgjatë udhëtimit në Nju Jork, një nga muzetë më të mëdhenj dhe më të bukur të artit në botë. Koleksioni i tij përfshin më shumë se dy milionë vepra arti që përfshin pesë mijë vjet të kulturës botërore, që nga parahistoria, në të tashmen dhe nga çdo pjesë e globit. Ky muze solli para syve të fëmijëve një udhëtim të paharrueshëm në kohë. Muzeu i figurave prej dylli “Madame Tussauds” në Nju Jork, ku ka mbi 200 figura prej dylli të emrave të famshëm botërorë ,u krijoi mundësinë fëmijëve të fotografoheshin pranë idhujve të tyre, që edhe pse statuja prej dylli dukeshin si të gjallë, duke shtuar kështu te fëmijët ndjenjën e argëtimit dhe të entuziazmit. Gjithashtu pjesë e këtij udhëtimi ishte dhe njohja me rrugën e njohur “Fifth Avenue”, e cila ndodhet në lagjen “Manhattan” në Nju Jork që konsiderohet si një nga rrugët më të shtrenjta dhe elegante në botë. Gjatë qëndrimit  në Nju Jork një vizitë mbresëlënëse ishte dhe ajo në Muzeun Amerikan të Historisë Natyrore (American Museum of Natural History), i cili gjithashtu është një nga muzetë më të mirë në Nju Jork.  

Përveç çasteve të kaluara gjatë shëtitjeve në destinacione të ndryshme, pjesë e ëmbël e këtij udhëtimi ishin restorantet, ku fëmijët bashkë me ushqimin shijonin dhe bisedat me njëri-tjetrin, që nuk reshtnin asnjëherë, duke ndarë mbresat dhe përshtypjet e pafundme. Përgjatë këtij udhëtimi fëmijët shijuan ushqimin në restorante si: “Grimaldi’s Pizza”, ”Shake Shack”, “Burger King” etj.

Dita e fundit e udhëtimit u prit nga fëmijët me emocion dhe mall, pasi ata e kuptonin se kudo që të shkonin vlerën e padiskutueshme që ka atdheu i tyre nuk mund ta zëvendësojë askush, sepse aty ndodhen të afërmit, miqtë, vendlindja, gjuha mëmë…

Përgatiti: Esmeralda Dibra

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *