Nxënësit e klasave të treta zhvilluan një shëtitje në Maqedoni.

Ndalesa e parë për fëmijët ishte qyteti i Strugës, ku nxënësit shëtitën përgjatë rrjedhës së Drinit. Pas këtij pushimi të këndshëm dhe çlodhës, udhëtimi vijoi drejt Tetovës. Me akomodimin në hotel, në orët e mbrëmjes fëmijët u zbavitën në pishinën dimërore, në të cilën argëtimi zuri vendin kryesor.

Të nesërmen fëmijët u nisën drejt pistës së dëborës “Kodra e Diellit”, ku entuziazmi mes fëmijëve u shpreh me të gjithë larminë e ngjyrave të buzëqeshjeve të tyre. Zbavitja dhe lojërat me ski dhe slita, arritën gjithashtu kulmin me topat e borës që fëmijët gjuanin miqësisht dhe në mënyrë çapkëne, ashtu siç vetëm ata dinë të jenë, drejt njëri-tjetrit.

Përgjatë momenteve të tilla, çdo mëri apo zënkë mes tyre harrohet. Miqësitë rilidhen sërish dhe janë çastet e tilla ato që mbeten dhe lënë gjurmë në kujtimet e tyre. Ashtu si gjurmët e lëna mbi dëborë, me ndryshimin e vetëm, se këto çaste të kaluara mes tyre,  nuk i fshin as dëbora e rënë sërish apo ardhja e pranverës. Këto janë gjurmë kujtimesh në mendjen dhe zemrën e fëmijëve, aty ku ato nuk fshihen lehtësisht.

Shëtitja e nxënësve vijoi drejt Shkupit, ku pas një ndalese në njërën prej qendrave tregtare dhe pas akomodimit në hotelin e këtij qyteti, fëmijët u çlodhën sërish në pishinën e ngrohtë.

Dita e fundit e udhëtimit ia la vendin edukimit me vlerat kulturore dhe historike. E tillë ishte vizita në “Muzeun për Nënë Terezën”, ngritur në themelet e shtëpisë ku ka lindur Nënë Tereza.

Pas largimit me mbresa të thella prej Shkupit, shëtitja vijoi në Prizren. Vizita në qendrën historike të qytetit ishte mbyllja e kësaj shëtitjeje për nxënësit tanë.

Në mbrëmje fëmijët u rikthyen në Tiranë, për të ndarë me prindërit dhe të afërmit përjetimet e paharrueshme nga ky ekskursion.

Përgatiti: Esmeralda Dibra

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *