Klubi i Alpinizmit

Klubi i Alpinizmit

Ai që e njeh natyrën, e mbron atë” – kjo thënie e njohur na tregon qartë se ne, mësuesit, edukatorët dhe prindërit, kemi për detyrë t’i njohim fëmijët me natyrën, pasi vetëm kështu ata do ta duan dhe do ta mbrojnë atë. Kjo merr akoma më tepër rëndësi në kohët që jetojmë, ku brezi i ri po rritet i tërhequr, i lidhur ngushtë me kompjuterin, telefonin apo gjithë mjetet e tjera të teknologjisë.

Por a e duan fëmijët natyrën? Po, shumë madje. Problemi është se ne të rriturit nuk po i afrojmë ata aq sa duhet me natyrën. Kështu, nisi si ide krijimi i klubit më të ri në shkollën tonë, Klubit të Alpinizmit. Edhe pse me emër shumë të madh, këta fëmijë që zgjodhën të bëjnë pjesë në të, mund të jenë nesër alpinistët e ardhshëm që do të ngjisin majat më të larta të botës. Sot ata janë eksploratorë të vërtetë të natyrës së bukur shqiptare, ndaj jo më kot udhëtimin e parë ky klub e nisi me Shpellën e Pëllumbasit. Të udhëhequr nga një guidë e njohur në Shqipëri (dhe jo vetëm), si dhe nga një mësuese që e ushtron prej vitesh këtë sport, fëmijët ia dolën të ngjiteshin me sukses deri te Shpella e Pëllumbasit dhe të ktheheshin të gjithë së bashku në fshatin Pëllumbas.  Rrugës së gjatë për atje nxënësit kaluan një terren malor me uljet dhe ngritjet e veta duke shijuar natyrën, shtigjet, llojet e ndryshme të bimëve (të cilat i mblodhën për herbarium), ajrin e pastër dhe, në fund, ata eksploruan këtë shpellë, e cila është një nga  gjashtë shpellat karstike të njohura për ekzistencën e tyre në Evropë. Entuziazmi i fëmijëve ishte mjaft i madh, gëzimi lexohej qartë në sytë e tyre dhe lumturia e mundi lodhjen e ecjes së gjatë. Në kthim gjithçka dukej më e lehtë dhe freskimi i këmbëve në lumin Erzen, i bëri ata të ndiheshin gati për një ngjitje të re.

Nxënësit mezi po presin aktivitetin e radhës, i cili shpresojmë të jetë po aq i bukur dhe mbresëlënës sa udhëtimi i parë. Suksese Klubit të Alpinizmit!