Për t’u njohur më mirë me historinë, mitet dhe legjendat  tona, nxënësit e klasave të 5-ta zhvilluan një ekskursion në Shkodër për të vizituar kalanë e Rozafës. Gjatë rrugës nxënësit  kaluan dhe panë qytete si Fushë-Kruja dhe Lezha ndërsa bisedonin për historinë e tyre. Me të arritur në Shkodër, ndalesën e parë e bënë në kalanë e Rozafës. Hijerëndë, e bukur dhe bujare, si një zonjë e vërtetë shtëpie, Kalaja hapi portat e saj për nxënësit. E ndërtuar në rrëzë të qytetit të Shkodrës, është ajo e para që i uron mirëseardhjen dhe mirëpret çdo vizitor në qytet. Kalaja e Rozafës është një nga kalatë më të rëndësishme dhe një nga pikat turistike më të vizituara në Shkodër, pasi kemi një ndërthurje të veçantë të historisë, legjendës dhe bukurive natyrore. Duket se ruan në muret e saj një krenari që nuk e mposht koha. Nxënësit u njohën me historinë e kalasë dhe legjendën e Rozafës. Një nga vendet  më interesante e mbresëlënëse të kalasë ishte vendi në të cilin, sipas legjendës, është murosur Rozafa. Nxënësit u argëtuan në mjediset e saj dhe shijuan pamjen e bukur të natyrës dhe lumit Buna. Nga Bedenat e Kalasë, shfaqet me gjithë madhështinë e tij, qyteti i bukur i Shkodrës. Bashkohen tejposhtë nën ngjyrën e bruztë, qielli, deti, liqeni dhe lumenjtë dhe vizitori mbetet i mahnitur. Hyn brenda në Muze dhe historia shfaqet e gjallë para teje. Nuk mjaftojnë orët për të shijuar gjithë bukurinë e hijeshinë e këtij vendi. Pasi u relaksuan në ambientet e kalasë, nxënësit zbritën dhe shëtitën në pedonalen e këndshme të Shkodrës.

…. Dhe më pas, një drekë plot shije, e cila mbyll këtë vizitë mes Bukurisë, Mikpritjes dhe Bujarisë  shkodrane.

Punoi: Hera Hadëri

Drejtoi: Imelda Prençe

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *