Vizita e radhës e nxënësve tanë pranë institucioneve qeveritare, ishte ajo në Kryeministri. Ata u mirëpritën nga Ministri i Shtetit për Çështjet Vendore,  Bledi Çuçi, në zyrën e tij.

Atje nxënësit zhvilluan një bisedë të ngrohtë e frytdhënëse dhe patën rast të diskutonin, jo vetëm për rolin mjaft të rëndësishëm të institucionit që drejton ministri – duke bërë  kështu më konkret informacionin që përvetësojnë në lëndën e qytetarisë, – por edhe të shprehnin  dëshirat  personale, në  lidhje me shkollën dhe të ardhmen e tyre.

Pas takimit me ministrin, ata u shoqëruan për të parë nga afër ambientet e Kryeministrisë, si: vepra të autorëve të ndryshëm, të ekspozuara në ambientet e saj, apo sallat e mbledhjeve, ku ngjarje e detaje kulturore rrëfeheshin  nga një ciceron.

Një nga ambientet më të veçanta, për të cilin nxënësit treguan interes, ishte “Qendra për Hapje dhe Dialog” (COD), një mjedis i hapur për dialog e shkëmbime mendimesh.

“Java e punës nisi mbarë, ndërsa mysafirë të veçantë në zyrën time kisha nxënësit e një prej klasave të gjashta të shkollës “Turgut Özal”, në Tiranë. Mbresëlënëse dëshira e tyre për të mësuar më shumë mbi mënyrën se si funksionon shteti e qeveria, por edhe njohuritë e tyre mbi pushtetin vendor. Natyrisht, ndava me ta kënaqësi, por edhe disa prej pasioneve të mia, ndërsa iu përgjigja pyetjeve të tyre të drejtpërdrejta”,- shkruan z.Çuçi në faqen e tij zyrtare, një  ditë  pas vizitës së nxënësve tanë.

Edhe për fëmijët, kjo ishte një nga ato ditë që mbetet në kujtesë dhe që nxit mendime largpamëse e shpresë për një shoqëri më të mirë.

Përgatiti: Elda Rrustemi

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *