Një fundjavë e këndshme  për vajzat e klasave të 7-ta, të 8-ta dhe të 9-ta mbi kurorën e gjelbër të drurëve halorë në Logora. Nisja u bë pas mbarimit të mësimit si zakonisht. Të gjitha vajzat u akomoduan sipas klasave dhe fill pas nisjes ngacmuan heshtjen që pushton në atë orë rrugët e kryeqytetit me këngët dhe zërat e tyre, të shoqëruara nga mësueset kujdestare, të cilat  u kujdesën që udhëtimit të tyre të mos u mungonte asgjë. Gjatë rrugës pati ndalesa për të vizituar vende të veçanta, si: Laguna e Nartës ku mblidhet dhe përpunohet kripa, Pedonalja në Vlorë dhe Qafa e Llogorasë. Në sytë e tyre reflektohej qartë se po kalonin mjaft bukur nën shoqërinë e njëra – tjetrës dhe madje po formoheshin edhe shoqëri të reja. Më pas shijuan  një darkë sa të pasur aq dhe të shëndetshme. Kjo mbrëmje u bë edhe më e veçantë nën tingujt e muzikës së zgjedhur dhe këngëve të kënduara drejtpërdrejt nga këngëtarë shqiptarë të njohur. S’kishte si të ishte ndryshe për pushueset tona që e sfiduan lodhjen dhe kaluan një natë plot argëtim mes lojëra të ndryshme, frekuentimit të pishinës dhe bisedave të ëmbla në rrethin e tyre shoqëror. Mëngjesi trokiti lehtë-lehtë me rrezet e freskëta të nëntorit dhe vajzat, porsi dallëndyshet që rikthehen në pranverë, nisën t’i buzëqeshin sërish fillimit të ditës së re. Mbas një mëngjesi të bollshëm nisën shëtitjet, ku edhe bënë foto pafund, duke marrë me vete dhe kujtimet e paharruara të këtij ekskursioni. Eksploruan vendin përreth dhe një pjesë e vajzave u shoqërua për ngjitje në kurorën më të lartë në mal. Pamja nga lart ishte piktoreske, nga ku mund të shikoje një territor të gjerë e të bukur malor. Më pas vajzat u ndalën dhe shëtitën sërish Pedonalen në Vlorë, por kësaj here nën rrezet e ngrohta të mëngjesit dhe tingujve të dallgëve ftuese të bregdetit. Po në atë peizazh të bukur drekuan këndshëm së bashku për t’i lënë vendin më pas kthimit. Mbërritën në Tiranë dhe të shoqëruara nga prindërit, vajzat u përshëndetën ngrohtë me njëra-tjetrën, me dëshirën  për t’u takuar sërish në shëtitje të tjera…

Punoi: Enkelejda Velo

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *