Ishte një mëngjes shkurti dhe autobusi u fut herët në oborrin e shkollës. Të entuziazmuar për atë çfarë i priste, nxënësit e klasave të pesta sistemuan valixhet dhe nisën udhëtimin.

Ndalesa e parë u bë në qytetin mikpritës të Shkodrës, pikërisht buzë lumit të gjerë e të bukur të Bunës, ku edhe drekuan e bënë fotografi.

Me kalimin e vijës kufitare, destinacioni i parë  ishte ujëvara “ Niagara” në Podgoricë. Hijeshia e saj i mahniti dhe i lumturoi  fëmijët. Vazhduan udhëtimin për në hotelin e rezervuar në qytet dhe mbrëmja i gjeti aq të hareshëm dhe miqësorë si rrallëherë.

Të nesërmen autobusi mori rrugën drejt Kolashinës. Atje luajtën me ski e slita derisa u lodhën. Hëngrën me shumë dëshirë në një restorant të kësaj zone turistike dhe u nisën për në hotel, për të vazhduar aktivitetet me garat e notit në pishina.

Ditën e kthimit radhën e kishte qyteti i bukur e bregdetar i Budvës. Nxënësit shëtitën gjatë nëpër qytet, vizituan portin e tij dhe Qytetin e Vjetër. Madhështia e detit dhe e maleve që e rrethonin, jahtet e ankoruara dhe baret prej druri e të mbuluar me rrjetat e peshkimit i  jepnin qytetit një pamje përrallore.

Të gjitha vendet e vizituara ishin me të vërtetë disa prej  mrekullive natyrore të Ballkanit, prandaj fëmijët u argëtuan e i shijuan  pafund.

Përgatiti: Elda Rrustemi

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *