Durrësi, qyteti i dytë më i madh i vendit tonë, priti këtë javë nxënësit e klasave të katërta dhe të pesta në një ekskursion sa zbavitës e argëtues, aq edhe mësimor. Ky qytet bregdetar, që mban nën ndërtesat e tij rrënojat e lashtësisë ilire, i magjepsi fëmijët me Amfiteatrin madhështor, të cilin një nga nxënësit e klasave të katërta e quajti “Colosseum i Shqipërisë”. Nxënësit ecën plot kureshti nëpër nënkalimet e tij dhe shprehën habinë për mënyrën e ndërtimit të pjesëve të nëndheshme të amfiteatrit. Surprizën më të bukur, Durrësi ua ofroi nxënësve me Muzeun Arkeologjik, në të cilin ata panë relike të llojeve të ndryshme, enë prej balte si dhe skulptura mbi 2500 vjeçare që tregonin qytetërimin dhe zhvillimin e Dyrrahut të asaj kohe. Pas këtyre vizitave kaq interesante dhe mbresëlënëse, nxënësit, të shoqëruar nga mësuesit e klasave dhe nëndrejtori i këtyre paraleleve, Huseyin Tunca, ecën përgjatë shëtitores së re të qytetit dhe ndaluan afër Sfinksit. Të shpërndarë sipas klasave në restorantet buzë detit, dreka vazhdoi me pica e pije freskuese dhe u mbyll me ëmbëlsinë e akulloreve. Kthimi për në shkollë ishte i mbushur me rikujtime të pamjeve që fëmijët kishin parë gjatë këtij ekskursioni.

 

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *