Një ditë e bukur për nxënësit e klasave të 6-ta e kaluar në qytetmuzeun e Shqipërisë, në Berat. Nxënësit u nisën herët në mëngjes. Rrugës për në Berat u organizuan lojëra, këndime në grup dhe bisedat e të qeshurat e hareshme i shoqëruan gjatë gjithë rrugës. Pasi mbërritën, të shoqëruar me mësuesit përkatës, nxënësit vizituan shtëpitë karakteristike të ndërtuara me gurë të bardhë borë, të cilët vezullonin nën dritën e diellit. Zërat e tyre pushtuan çdo cep të Beratit. Pas shëtitjes nëpër rrugët e pjerrëta me kalldrëm, nxënësit u ngjitën në kalanë madhështore të këtij qyteti, nga ku vështruan me kënaqësi lagjen brenda mureve të saj, e cila është ende e banuar. Ajri i pastër, gjelbërimi i pishave, i shoqëruar me aromën dehëse të luleve të shumëllojshme, të kënaqnin pa masë.Vizita vazhdoi me një ndalesë në Kishën e Onufrit, ku vërtet  u mahnitën me lashtësinë e saj dhe me faktin se atje ishin zbuluar Kodikët e famshëm të Beratit. Mos të lëmë pa përmendur fotot e shumta që iu bënë Lumit Osum nga Ura madhështore e Goricës. Pas shëtitjeve e fotove pafund nxënësit drekuan së bashku, ndërkohë që prisnin me padurim t’i riktheheshin edhe një herë të fundit rrugicave joshëse të Beratit. Kthimi në Tiranë u shoqërua prej gëzimit të përhershëm të fëmijëve, shtuar prej rikujtimit të çasteve të bukura të kaluara në qytetin historik të Beratit.

Punoi: Enia Xhaferraj

Drejtoi: Elda Rrustemi

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *