Klubi Shpresa vazhdon aktivitetet e tij bamirëse, duke sjellë gëzim e buzëqeshje kudo ku anëtarët e tij shkojnë. Aktiviteti i radhës u zhvillua në kopshtin e shkollës “16 Shtatori” në Pezë të Madhe. Ishin pikërisht nxënësit më të vegjël të shkollës sonë, anëtarë të Klubit Shpresa dhe nxënës të klasës së parë, të cilët iu dhuruan ndihma në mjete mësimore për kopshtin dhe libra jashtëshkollorë për bibliotekën e shkollës, moshatarëve të tyre të kësaj shkolle.

Ngjyra druri, lapustila, lapsa plumbi, goma, fletë të bardha e me ngjyra, kartona dhe dosje të llojeve të ndryshme, plastelina, ngjitësa, birila, topa, tulla plastike dhe druri, etiketa me pamje të ndryshme si kafshë, shpendë, perime, fruta, rregullat e qarkullimit rrugor, lodra formuese dhe sipas profesioneve, albume me pamje deti, vere, vjeshte e dimri dhe materiale të tjera iu dhuruan fëmijëve të kopshtit që është në këtë shkollë.

Ambientet e kësaj shkolle vërtet ishin të vogla dhe modeste, e nuk ishin si ambientet e shkollës së tyre, por kjo nuk i pengoi vogëlushët të miqësoheshin shpejt me ‘të zotët e shtëpisë’ dhe të shpalosnin talentin e tyre në një minikoncert të përbashkët me këngë e recitime.

Secili prej fëmijëve në atë ambient të vogël, donte të recitonte apo të këndonte dhe kjo atmosferë e krijuar ia shtoi më shumë gëzimin dhe kënaqësinë vogëlushëve.

Të qeshur e të kënaqur ata bënë foto me njëri-tjetrin edhe në oborrin e shkollës e më pas, pasi u ndanë me shumë dashuri nga fëmijët e mësuesit e shkollës, i priste një surprizë tjetër e bukur: disa ҫaste argëtimi në Parkun e Pezës.

Aty fëmijët luajtën, qeshën, u argëtuan dhe shijuan ҫokollatat, me të cilat u qerasën me shumë dashuri nga miqtë e tyre të rinj. Kjo ishte një ditë vërtet e veҫantë. Fëmijët shijuan rrezet e diellit dhe natyrën e bukur, por mbi gjithҫka po edukohen me ndjenjën e bamirësisë dhe me kënaqësinë që merr kur dhuron.

Përgatiti: Imelda Prençe