Një ditë ndryshe ishte për nxënësit e klasës së 7E, vizita në ambientet e një prej fabrikave më të mëdha të përpunimit të qumështit në vend, fabrikën “Erzeni” në Berat. Duke qenë se qumështi dhe nënproduktet e tij janë gjithmonë të pranishëm në kuzhinën e shkollës dhe në shtëpi, fëmijët donin të dinin më tepër për to. Pyetjet që u lindnin gjatë udhëtimit, i diskutonin me njëri-tjetrin dhe herë-herë u përgjigjeshin nga njohuritë e marra në shkollë. Kur arritën, nxënësit u mirëpritën nga pronarët e fabrikës e  punëtorët dhe u shoqëruan në ambientet e brendshme, por fillimisht të gjithë u veshën me veshje të veçanta. Nxënësit dëgjonin me mjaft kuriozitet shpjegimet e dhëna, duke filluar që nga ideja e ngritjes së fabrikës, manaxhimi i saj, shumëllojshmëria e produkteve, cilësia, ruajtja, ambalazhimi, staxhionimi, konkurrenca dhe siguria  e produkteve. Ajo që i habiti fëmijët ishte se si qumështi sterilizohej, fermentohej dhe kalonte në furrat e pjekjes për të përftuar kosin e ëmbël dhe të shijshëm. Pas një kohe të kaluar midis pyetjeve dhe përgjigjeve nxënësit kaluan në oborrin e fabrikës, ku i priste një drekë e shijshme e servirur nga drejtuesit dhe pronarët e biznesit. Të gjithë i  shijuan përmes bisedash të ngrohta dhe falenderimeve, duke shfaqur si pa dashje preferencat e tyre për qumështin dhe nënproduktet e tij. Kjo ishte një eksperiencë jo vetëm e dobishme, por edhe mjaft e bukur dhe nxënësit u larguan duke shprehur dëshirën për t’i vizituar sërish këto ambiente.

Përgatiti: Enkelejda Velo

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *