Përfaqësues të Institutit “Konfuci” në klasën e 4E

Përfaqësues të Institutit “Konfuci” në klasën e 4E

Në vazhdën e veprimtarive që nisën me Javën e Anglishtes, ku çdo klasë pjesëmarrëse në konkursin “Culture Corner” mori përsipër zbulimin e traditave dhe kulturës së shtetit që parapëlqente, klasa e 4E paraqiti veçantitë dhe bukuritë e Kinës. Klasa u mbush me fotografi, objekte dhe dekoracione nga më të ndryshmet, të cilat shpalosën trashëgiminë kulturore, mënyrën e jetesës, veshjet tradicionale dhe ushqimet karakteristike kineze.

Duke zgjedhur këtë shtet, nxënësit e kësaj klase përfituan një mundësi të artë për një vizitë të disa përfaqësuesve nga Instituti “Konfuci”, i cili ka për qëllim të promovojë sa më shumë gjuhën dhe kulturën kineze. Ata erdhën me qëllim që të shihnin përgatitjet që nxënësit kishin bërë, për t’u thelluar atyre njohuritë në lidhje me kulturën kineze dhe për t’u përcjellë një mesazh ndërkombëtar.

Nxënësit e pritën shumë të lumtur këtë vizitë dhe u përfshinë të gjithë në aventurën e mrekullueshme të njohjes së një shteti të ri. Fillimisht, nxënësve iu paraqitën dy video. E para ishte në lidhje me Pekinin, ndërsa e dyta ishte në lidhje me Kinën dhe investimet që ajo ka bërë në zhvillimin e  infrastrukturës dhe në turizëm, si dhe disa fakte interesante për të.

Gjatë bashkëbisedimit të përzemërt që u zhvillua midis nxënësve dhe miqve, nxënësit u folën nga pak në gjuhën kineze. Përfaqësuesit e këtij institucioni u kënaqën shumë nga përpjekjet e mëdha që kishin bërë nxënësit. Nxënësve gjithashtu kjo vizitë u la mbresa të mëdha.

Punoi: Enia Xhaferraj

Drejtoi: Imelda Prençe