Shkolla është një institucion arsimor-edukativ që të përgatit për jetën, dhe si e tillë, ajo është në sfidë të vazhdueshme për t’iu përshtatur të rejave më të fundit të kohës.
Për këtë arsye, këtë vit zgjodhëm të pilotojmë platformën IXL, e cila përdoret nga mbi 7 milionë nxënës në më shumë se 191 vende dhe ka fituar një sërë çmimesh nga më të njohurat në botë në fushën e edukimit.
IXL- jo vetëm që ofron një gamë mjaft të gjerë ushtrimesh dhe pyetjesh online, por e veçanta e kësaj platforme është se i siguron mësuesit të klasës një statistikë të detajuar, duke ndjekur ecurinë e grupit në tërësi dhe performancën e secilit nxënës në veçanti.
Pilotimi i kësaj platforme në lëndën e matematikës, me nxënësit e klasës së 4A, pati rezultate më të larta sesa i kishim parashikuar. Fëmijët e pritën me kureshti dhe e vazhduan me entuziazëm punën në IXL, madje duke punuar gjithmonë përtej numrit të caktuar të pyetjeve si detyrë shtëpie. Vetëm brenda një muaji, nxënësit iu përgjigjën më shumë se 50 mijë pyetjeve (ushtrime dhe situata të ndryshme problemore) dhe një pjesë pjesë e madhe e tyre e konsideruan detyrën e shtëpisë në IXL si “mjaft interesante dhe argëtuese”.
Pas pilotimit të suksesshëm të IXL, kemi hedhur një hap të sigurt për ta përdorur atë gjatë vitit të ardhshëm shkollor në lëndën e matematikës në të gjitha klasat e treta, të katërta dhe të pesta të ciklit fillor.

Përgatiti: Erjona Saqe