Rëndësia e va...

  • Turgut Ozal Social Media

Rëndësia e vaktit të mëngjesit

Të dhëna për çfarë duhet të hamë dhe çfarë nuk duhet të hamë vijnë nga çdo anë. E sigurtë është se secili prej tre vakteve është i rëndësishëm për shëndetin tonë. Mirëpo, vihet re se vaktit të mëngjesit nuk i jepet rëndësia e duhur. Arsyet e shmangies apo zbehjes së mëngjesit janë të shumta, po aq të shumta sa edhe rreziqet që i kanosen shëndetit nga mënjanimi i tij.

 

Disa e anashkalojnë vaktin e mëngjesit në një përpjekje për të humbur peshë, por kjo sjellje ka më shumë të ngjarë të shkaktojë shtim të peshës, pasi shmangia e mëngjesit është e lidhur ngushtë me zhvillimin e obezitetit gjë që konfirmohet edhe nga studime të shumta.

Ata që nuk konsumojnë mëngjesin, priren të konsumojnë më shumë ushqim se zakonisht në vaktet e tjera, duke menduar se rruga më e shpejtë për të larguar urinë është fast food-i.

Ndoshta, jo aq me qëllim eleminimin e kalorive por nga tërheqja e fast food-it, veçanërisht fëmijët, e zëvendësojnë mëngjesin me sanduiçe, hamburger apo të tjera si këto. Ndaj, është mjaft e rëndësishme puna e prindërve për edukimin e fëmijëve në lidhje me rëndësinë e vaktit të mëngjesit dhe rolin që luan ai për një shëndet më të mirë e larg obezitetit.

Njerëzit arrijnë të vënë më shumë peshë kur hanë më pak vakte, por në sasi më të mëdha, sesa kur konsumojnë të njëjtin numër të kalorive në vakte më të vogla e të shpeshta.

Mëngjesi është dhe mbetet vakti më i rëndësishëm i ditës që përcakton ritmin uri-ngopje duke mundësuar që çdo njeri t’i afrohet drekës pa ndierë shumë uri.

Për vaktin e mëngjesit këshillohet të konsumohen gjëra të lehta, si: qumështi, djathi, veza, perime (domate, kastraveca, speca), lëng frutash etj.

Koha e investuar në përgatitjen e mëngjesit është shumë më e vlefshme se disa minuta shtesë gjumë. Duke u furnizuar truri dhe trupi me ushqim, rendimenti në shkollë apo punë është më i lartë.

Play Our Song