Shëtitje në Llogara

Shëtitje në Llogara

E shtuna që sapo lamë pas shënoi aktivitetin e radhës me nxënësit e Klubit të Kinemasë. Vendi i  përzgjedhur kësaj here ishte pikërisht Llogaraja. Nxënësit u nisën nga Tirana të shtunën në mëngjes. Udhëtimi ishte i këndshëm; nxënësit soditnin të gëzuar pjesën jugore të Shqipërisë dhe shkëmbenin batuta me njëri – tjetrin. Ndalesa e parë u bë në qytetin e Ismail Qemalit, në Vlorë. Aty ata bënë shëtitje tek shëtitorja e qytetit dhe shijuan drekën tek Uji i Ftohtë, vendi ku dallgët e kaltra përplaseshin me naze pranë shkëmbinjve të vegjël.

Më pas u nisën në drejtim të destinacionit të përzgjedhur. Arritën në Llogara dhe u vendosën në kompleksin ‘’Llogara Turist Village’’, ku qëndruan një natë. Lojërat e zhvilluara ishin nga më të larmishmet si: futboll, pingpong dhe not në pishinë, e cila ishte dhe pjesa më argëtuese për ta. Interesante dhe shumë mbresëlënëse ishte edhe ecja për afro 40 minuta për në Pishën Flamur, ku nxënësit shijuan ajrin e pastër të kësaj zone.

Pas këtyre momenteve të mrekullueshme me njëri – tjetrin erdhi koha e kthimit drejt Tiranës. Edhe rruga e kthimit ishte e këndshme, pasi nxënësit flisnin dhe shihnin fotot e bëra gjatë këtij udhëtimi.

Irma Derjaj

Mësuese