“Bota është një libër dhe kush nuk udhëton, lexon vetëm një faqe të tij.” Këto fjalë të njohura janë një motivim i mirë për të nisur që në fëmijëri leximin e këtij libri madhështor që na rrethon dhe mezi pret të shfletohet. Udhëtimi i fundit i organizuar nga shkolla jonë, që kaloi nëpër shtetet Francë, Belgjikë dhe Hollandë, kishte si qëllim jo  vetëm argëtimin dhe shëtitjet nëpër kryeqytetet e këtyre shteteve, por edhe ndërgjegjësimin e fëmijëve si qytetarë të denjë europianë dhe kulturën e përgjithshme që fitojnë ata në aktivitete të tilla.

I shtrirë në pesë ditë, ky udhëtim ofroi vizita në muze, shëtitje nëpër pika të njohura turistike, lojëra në pishina, dije të reja dhe shumë argëtim.

Dita e parë përfshiu ngjitje në Kullën e Parisit, nga e cila shfaqej një pamje madhështore dhe mund të shihej i gjithë qyteti; vizitë në Katedralen Notrë Damus dhe shëtitje në bulevardin Champs-Élysées.

Dita e dytë ishte e mbushur me ngjyra, me personazhe të famshme të Walt Disneyt dhe aventura që mund të t’i dhurojë vetëm një vend si Disney Land.

Pas argëtimit që ofroi Parisi, radhën e kishte shtimi i dijeve në Le Pass Science Centrum, ku shkenca shpërfaqet në të gjithë shumëllojshmërinë e saj nëpërmjet ekspozitave interaktive, filmave dhe aktiviteteve praktike. Edhe pse jo shumë entuziastë në fillim, në sytë e fëmijëve u lexua qartë kurioziteti sapo hynë në Pass dhe e kishin shumë të vështirë të ndaheshin prej tij. Pas kësaj vizite nxënësit shëtitën nëpër qendrën e Brukselit, ku panë Grand Place dhe Atomium, i cili është bërë simbol i këtij qyteti.

Aventura u bë edhe më interesante gjatë ditës së katërt së udhëtimit, ku nxënësit patën mundësinë të hynin në CORPUS, një muze që përdor teknologjinë më të fundit në fushën e efekteve vizuale, dëgjimore dhe videot 3D. Të gjendur brenda trupit të njeriut fëmijët panë, dëgjuan dhe ndjenë se si janë ndërtuar dhe si funksionojnë sistemi i qarkullimit të gjakut, aparati i frymëmarrjes, aparati i tretjes, truri, syri, veshi, e njëkohësisht u dhanë përgjigje pyetjeve të tilla si: Pse flemë? Çfarë ndodh kur teshtijmë? Në ç’pjesë të gjuhës e ndiejmë shijen e të ëmblës dhe të kripurës? etj.

Pas këtij udhëtimi brenda vetes së tyre, kjo ditë vazhdoi me shëtitje në qendrën e qytetit të Roterdamit.

Dita e fundit ofroi shëtitje në fshatin turistik Wind Mills, nga të gjitha anët e të cilit mund të shihje mullinjtë e mëdhenj të erës dhe punimet e veçanta me dru nga mjeshtërit e këtij fshati. Mbyllja e gjithë kësaj aventure pesëditore ishte një shëtitje me varkë nëpër qytetin e mrekullueshëm të Amsterdamit, ku u njohën me ndërtesat kryesore dhe historinë e qytetit të famshëm të biçikletave.

Përgatiti: Erjona Saqe

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *