Një nga klubet më të preferuara në shkollën tonë është ai i robotikës. Klubi përbëhet nga dy grupe  dhe ndiqet nga  nxënës të klasave të 6-ta dhe të 8-ta.

Për momentin, nxënësit e grupit të parë po punojnë për ndërtimin e një tanku me lego, ndërsa grupi tjetër për projektimin e një qeni dhe gjithashtu të disa pajisjeve bioloid. Njëkohësisht,  ata po bëjnë edhe programimin e gjithë këtyre robotëve.

Ditët e fundit, grupi i klasave të 8-ta ka përfunduar me sukses ndërtimin e një roboti-njeri të quajtur Humanoid, i cili është i aftë të ecë dhe të bëjë ushtrime fizike.

Me këtë projekt klubi mori pjesë në emisionin “Tangram”, ku nxënësi Marin Shpata prezantoi robotin para të ftuarve dhe demonstroi se si ai kryente me shumë lehtësi komandat që i jepeshin. Ai tha se Shqipëria do të bëhet më e mirë duke zhvilluar më shumë teknologjinë, e sidomos atë të robotëve, sepse ata mund të thjeshtësojnë veprimet  tona të përditshme, si transporti apo shërbime të tjera sociale.

Përgatitja e këtyre projekteve në shkollë synon përvetësimin e disa teknikave që realizojnë dhe  vënë në punë këto pajisje elektro-mekanike, por  edhe pjesëmarrjen në muajin mars në  olimpiadën “Panairi Shqiptar i Shkencës dhe Inxhinierisë” (ASEF). Nxënësit po punojnë me dëshirën e madhe për të konkurruar më pas dhe në disa kompeticione të tjera ndërkombëtare, siç  është “Infomatrix”, që pritet të organizohet në Rumani, në datat 27 prill-1 maj dhe “Genius Olympiad”, më 17 qershor, në SHBA.

Përgatiti: Elda Rrustemi

 

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *