Nxënësit e klasës së 4G vizituan Muzeun Historik Kombëtar. Për disa prej tyre ishte hera e parë që vinin në muze, ndaj e dëgjuan me shumë kureshtje e vëmendje ciceronin që i shoqëroi. Ata vizituan të gjitha ambientet e muzeut, që nga Periudha Parahistorike, Antikiteti, Mesjeta e deri në Periudhën e Rilindjes Kombëtare, Shpalljes së Pavarësisë dhe vendosjes së Regjimit Komunist në Shqipëri. Nxënësit u njohën më nga afër me mënyrën e jetesës së popullit tonë ndër shekuj, veglat e punës, veshjet e ndryshme, traditat, ritet e zakonet. Ata patën mundësi të shihnin nga afër ndikimet e kulturave të popujve të tjerë në kulturën tonë, e pasqyruar kjo në skulptura, mozaikë apo arte murale  dhe kjo u la shumë përshtypje. Gjithashtu u prezantuan me mënyrat e ndryshme të qeverisjes dhe organizimit të shtetit, që nga Periudha e Mesjetës e deri në shekullin e 20-të dhe rolin e personaliteteve dhe figurave të politikës e kulturës në këto qeverisje. Por momentet më të bukura e më të veçanta, nxënësit i kaluan në ambientin më të ri, “Arkeologu i vogël”, ku u zbavitën duke gjetur objektet arkeologjike të fshehura në tallash.

Aktivitete të tilla, që jo vetëm kanë vlera njohëse për lëndën e historisë, por më së shumti edukojnë dashurinë për atdheun dhe respektin për vlerat historike të kombit, janë gjithmonë një kënaqësi pa fund.

Përgatiti: Imelda Prençe

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *