Vera larg shkollës

  • Turgut Ozal Social Media

Vera larg shkollës

VERA DHE SHKËPUTJA E FËMIJËVE NGA SHKOLLA

Jemi në përfundim të vitit shkollor dhe në pragun e pushimeve verore. Kanë mbetur afërsisht edhe tre muaj kohë për t’u shkëputur nga rutina e përditshme e nëntë muajve më parë. Jo vetëm fëmijëve, por kujtdo tjetër që mund t’i ofrohej një mundësi e tillë, do ta priste me padurim këtë periudhë pushimi. Një ditë, nga mesi i muajit maj ,dëgjoja në korridoret e shkollës zëra të ndryshëm fëmijësh që i tregonin njëritjetrit se ku do t’i kalonin pushimet verore. Dikush tregonte për planet që kishte bërë së bashku me prindërit. Dikush tjetër tregonte për pjesëmarrjen e tij në një shkollë verore, por me një program jo shumë intensiv dhe të ngarkuar. Një nxënës tjetër lumturohej se do të qëndronte vetëm në shtëpi. Sipas tij, ai gjatë pushimeve nuk e ka më detyrim zgjimin herët në mëgjes, është larg detyrave dhe mësimeve dhe më në fund atij i jepet mundësia të rrijë me orë të tëra përballë televizorit duke ndjekur programet e tij të dashura. Befas, m’u kujtua fëmijëria ime dhe marrëveshja që bëja me prindërit e mi për argëtimet që ata do të më ofronin gjatë pushimeve verore. Një nga marrëveshjet që më kujtohet shumë qartë ishte: në qoftë se dëftesa ime e fundvitit do të ishte me rezultate të shkëlqyera, ata do të më shëtisnin në vende të ndryshme. Megjithëse fëmijëria ime tani është shumë larg prej meje, në kujtesën time ato ditë janë akoma shumë emocionuese dhe mbresëlënëse. Gjatë kohës që dëgjoja zërat e fëmijëve, përpiqesha të kujtoja se në cilin grup fëmijësh bëja pjesë unë në atë kohë: – Fëmijët që i presin me padurim këta tre muaj, sepse kështu ata mund të jepen pas dëfrimit, argëtimit dhe pushimit. – Fëmijët që planifikojnë të shfrytëzojnë në mënyrë maksimale këto pushime verore për të përfituar përvoja, njohuri dhe dituri të reja. Kujtesa ime e kthjellët më sjell ndërmend dëshirën time të madhe për argëtime dhe në kundërshtim me të “bezdisjen e vazhdueshme” të prindërve për të mos u shkëputur tërësisht nga mësimet. Kujtoj qartë fjalët e nënës sime: “Shfrytëzoji pushimet verore në maksimum: argëtohu, pusho, por, gjithashtu, mos harro edhe të lexosh libra jashtëshkollorë. Pas këtij meditimi të shkurtër në një nga korridoret e shkollës, po mendoja se si mund t’u vijmë në ndihmë nxënësve tanë për t’i kaluar pushimet verore jo vetëm në mënyrë argëtuese, por edhe të frytshme njëkohësisht.

 

SI I KUPTOJNË NJË PJESË E NXËNËNËSVE PUSHIMET VERORE

Dikush pushimet verore i kupton si ditë në të cilat mund të flesh deri në mesditë, mund të rrish nga mbrëmja deri në mëngjes pa bërë asgjë, mund të argëtohesh dhe dëfrehesh pa ndonjë detyrim ose përgjegjësi konkrete. Prindërit, në anën tjetër, mërziten dhe përjetojnë ankth për kohën boshe që fëmijët e tyre kalojnë gjatë pushimeve verore. Megjithëse informacioni bashkëkohor si interneti, librat dhe revistat e ndryshme nuk mungojnë në shëpitë e tyre, fëmijët qëndrojnë larg tyre me justifikimin se janë me pushime.

 

ÇFARË THONË PROFESORËT PËR PUSHIMET VERORE

Pushimet verore dhe argëtimi luajnë një rol shumë të rëndësishëm, por paksa të rrezikshëm për psikologjinë e nxënësit. Nuk vihet në dyshim që fëmija duhet të kënaqet gjatë pushimeve verore, të largohet nga brenga e mësimit dhe “presioneve psikologjike”. Me të vërtetë që argëtimi dhe shkolla kanë kahje të ndryshme, por ne duhet t’i japim përparësi argëtimit të qëllimshëm, duke e shfrytëzuar argëtimin për lojë, për vizita në vende të ndryshme historike, për konkurse në fusha të ndryshme të dijes, për veprimtari sportive etj. Veprimtaritë e larmishme e ndihmojnë fëmijën të qëndrojë larg jetës pasive dhe gjumit deri në mesditë, të aktivizohet dhe njëkohësisht edhe të argëtohet.

 

T’I MËSOJMË FËMIJËT SE SI ATA TË ZGJEDHIN QËLLIME VETJAKE GJATË PUSHIMEVE VERORE

Në fillim të pushimeve verore përpiquni t’i inkurajoni fëmijët tuaj t’i vendosin qëllime vetes. Qëllimet e vendosura mund të funksionojnë si një orientim ose një kujtesë se çfarë duhet të realizojnë ata gjatë atyre pushimeve. Qëllimet e përcaktuara mund të jenë afatshkurtra dhe afatgjata. Qëllimet afatshkurtra ose ndryshe objektivat që duhet të realizohen brenda ditës të tilla si: “ Sot do të lexoj 50 faqe libër dhe do të përsëris një kapitull në matematikë”. Qëllimet afatgjata shtrihen në një pjesë kohore më të madhe se sa ato aftashkurtra, (p.sh.: do mbaroj leximin e një romani dhe përsëritjen e ¼-ës së librit të matematikës.) Eshtë po aq i rëndësishëm sa qëllimet e vendosura edhe realizimi i tyre. Qëllimet duhet të jenë brenda mundësive të realizimit të tyre, në të kundërt nuk e ndihmojnë, por e çorientojnë fëmijën. Sugjerohet që programi i punës, i përcaktuar nga fëmija, të kontrollohet edhe nga prindërit, dhe, nëse është e mundur, gjatë pushimeve të verës, të kontrollohet edhe nga një mësues që e njeh mirë fëmijën dhe i di mangësitë e tij. Në procesin e përgatitjes së programit ditor duhet marrë patjetër në konsideratë afati kohor që fëmijës i duhet për realizimin e qëllimeve të vendosura. Ky afat kohor këshillohet të jetë minimumi 60 minuta deri në 90 minuta në ditë. Mundësisht të përcaktohen ato orare të ditës gjatë të cilave fëmija nuk zhvillon ndonjë veprimtari tjetër (p.sh. gjatë orarit të drekës në vapën përvëluese të verës). Mosshkëputja nga librat dhe studimi e ndihmon fëmijën jo vetëm të kalojë pushime frytdhënëse, por, gjithashtu, fillimin e vitit të ri shkollor ta nisë me më shumë entuziazëm. Sipas studimeve të bëra në Departamentin e Psikologjisë në Universitetin e Virxhinias, profesor William Black shprehet: “Rifillimi i rutinës së jetës, qoftë edhe pas një shkëputjeje afatshkurtër, krijon gjendje ankthi tek aplikanti”. Sipas studimeve të bëra nga profesor Black, ai konstaton: “Pas pushimeve të fundjavës, orët e para të ditës së hënë janë një periudhë ankthi dhe debulese, jo vetëm tek të rriturit, por edhe te fëmijët”. Sipas profesor Black, shkëputja totale e fëmijëve nga librat, studimi dhe çrregullimet në orarin e gjumit gjatë pushimeve të verës, jo vetëm që klasifikohen si një humbje kohe për ta, por gjithashtu vështirësojnë përshtatjen e fëmijëve me shkollën në shtator, kur fillon viti i ri akademik.

 

Referencat:

Michael E. Mayer and Valerie

Sims, “Journal of Efuacation
Psychology”, 84 (1992)

Play Our Song