Të dalësh shëtitje apo të bësh ekskursion nuk është vetëm kënaqësi, por dhe njohje, eksplorim, vlerësim mbi natyrën, kulturën, sjelljet dhe njohuritë që zotërohen e fitohen gjatë bashkëveprimit në grup. Këto mundësi na janë dhënë shpesh sa herë që ndikojnë në formimin dhe pasurimin e inteligjencës te çdo nxënës. Gjatë vizitës në Bunk’Art me nxënësit e klasës së 7D u zhvilluan biseda rreth historisë së krijimit të tij. Bunk’Arti i dedikohet historisë së ushtrisë shqiptare dhe jetës së përditshme nga viti 1912-1991, përmes artit e fakteve të marra nga Arkiva e Shtetit dhe Ministria e Brendshme. Nga bisedat që u bënë, një pjesë e mirë e nxënësve e njihnin pjesërisht vetëm nga ekrani i televizorit. Pasi arritën në hyrjen e Bunk’Artit, me sytë kureshtarë dhe dëshirën për të njohur nga afër këtë pjesë të historisë, nxënësit zbresin dhe orientohen drejt tuneleve të nëndheshme nga mësuesit dhe punonjësit. Ajo çfarë të binte në sy e të bënte përshtypje ishte se si këta nxënës i shikonin plot kuriozitet ato dhoma, ku historia shpaloset që më krijimin e xhandarmërisë së parë deri te dhomat e përgjimit. Habia e tyre shfaqej sa herë që shihnin televizorët, radiot, telefonat, shtypshkronjat, veshjet, armët e para etj, gjithmonë duke i krahasuar me zhvillimet e sotme të kulturës, të teknologjisë e shkencës. Pavarësisht, ky ishte çelësi që i mbante gjithmonë me sytë mbi tablo, shkrime, fakte dhe imazhe të krijuara posaçërisht për të depërtuar më afër e për të krijuar ide më të qarta mbi jetët e mijëra njerëzve të larguar nga jeta. Një detaj që u bëri përshtypje mbi shumë të tjerë ishte njeriu robot me zemër e tru të mbyllur në kafaz, i cili transmetonte më shumë se fjalët.

Kur vizitës i erdhi fundi, nxënësit lanë dedikimet dhe përshtypjet e tyre për t’u larguar nga Bunk’Arti, por jo nga shëtitja. Për t’u ndryshuar atmosferën u shoqëruan për një ecje në pedonalen “Murat Toptani”, si gjurmë rruge që ka vlera historike dhe mund të konsiderohet si një galeri natyrore, muzeale dhe historike.

Përgatiti: Enkelejda Velo

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *