Në kuadër të nismës ”Edukimi përmes kulturës”, klasa e 4A zhvilloi një vizitë në qytetin e Krujës.

Kalaja e Krujës strehon një nga muzetë më të rëndësishëm të historisë së Shqipërisë, brenda të cilit pasqyrohet jeta dhe bëmat e Gjergj Kastriotit Skënderbeut dhe lufta e tij për të mbrojtur territorin shqiptar. Klasa e 4A i bëri një vizitë këtij muzeu, për të mësuar më shumë për historinë e shtetit shqiptar në shekullin e XV.

Nxënësit si fillim bënë një ecje në Pazarin karakteristik të Krujës, ku sende artizanale shqiptare nga më të ndryshmet shiteshin deri pranë dyerve të kalasë. Pamja mbresëlënëse dhe plot gjelbërim e këtij qyteti i impresionoi shumë nxënësit.

Kur hynë brenda në muze, ata u pritën nga një ciceron, i cili u foli hollësisht për  historinë e lashtë të vendit tonë. Nëpërmjet dokumenteve, fotografive dhe objekteve historike të paraqitura në stendat e muzeut, nxënësit u njohën me luftërat e lavdishme të arbërve nën udhëheqjen e Skënderbeut.

Vizita në muze u mbyll me lojëra në natyrë në ambientet e jashtme të kalasë. Ishte një ditë e bukur dhe e veçantë për nxënësit.

Punoi: Hera Hadëri

Drejtoi: Elda Rrustemi