Vizitë në Ministrinë e Bujqësisë

Vizitë në Ministrinë e Bujqësisë

Edhe këtë vit, shkolla jonë u bë pjesë e aktivitetit që organizon Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, në kuadër të “Muajit të Bujqësisë”.

Drejtuesit e shkollës, së bashku me dy grupet e Klubeve të Gatimit dhe nxënësit e klasave të katërta, vizituan ambientet e Ministrisë së Bujqësisë, duke u pritur nga Ministri, Z. Edmond Panariti.

Aktiviteti i këtij viti ishte titulluar “Bujqësia në sytë e fëmijëve”, dhe siҫ u shpreh dhe vetë Ministri Z. Edmond Panariti: “Bujqësia lidhet me atë ҫfarë ju konsumoni ҫdo ditë në shtëpitë tuaja, ndaj ne e kemi prioritet sigurinë ushqimore dhe të ushqyerit e shëndetshëm, veҫanërisht tuajin.”

Ministri i këshilloi fëmijët që të ushqehen në mënyrë sa më të shëndetshme dhe shprehu idenë se kultura e ushqimit, ndoshta duhet të jetë dhe lëndë mësimore në shkolla.

Në këtë aktivitet merrnin pjesë dhe Enkeleida Ferrollari, dietologe, gjithashtu dhe Sokol Prenga, Kryetar i Shoqatës “Slow Food Albania”. Nxënësit e shkollës sonë kishin përgatitur disa pyetje për organizatorët e aktivitetit. Ministri u kërkoi nxënësve të jenë pjesë e konkursit të vizatimit, të organizuar nga Ministria e Bujqësisë dhe me vizatimet e realizuara nga nxënësit, do të dizenjohen kartolinat e Vitit të Ri. Klubi i Gatimit i shkollës sonë, ftoi të gjithë panelin të bashkohen me ta një ditë, për të gatuar së bashku në kuzhinën e vogël të shkollës. Në përfundim të aktivitetit u theksua më shumë mesazhi që: “Fëmijët duhet të zgjedhin ushqimin e duhur për të pasur një jetë sa më të shëndetshme.”

Përgatiti: Imelda Prençe