U zhvillua në ambientet e kolegjit “Turgut Özal” faza e dytë e konkursit Owlypia, e quajtur “Owlypia Locals”. Konkursi mblodhi nxënës jo vetëm nga Shqipëria, por edhe nga Kosova e Bosnje-Hercegovina. Ai përfshinte disa faza konkurrimi dhe u zhvillua përgjatë dy ditëve.

Ditën e parë nxënësit u mblodhën në mëngjes në shkollë, gati për t’u përballur me sfidat e konkursit. Fillimisht u bë një prezantim i përgjithshëm i Owlypia-s dhe i secilës prej fazave.

Më pas nxënësit ndërmorën fazën e parë: “The pen down challenge”. Në këtë fazë nxënësit duhet të shkruanin një ese ose një histori të shkurtër, ku duhej të përfshinin një prej tri fjalive të dhëna.

Faza e dytë quhej: “Knowledge challenge”. Këtu nxënësit do të testoheshin në bazë të njohurive të përftuara prej materialeve të studiuara në lidhje me lëndën e tyre të parapëlqyer.  

Pas një pushimi të shkurtër u zhvillua faza e tretë: “Speech-craft challenge”. Këtu nxënësit kishin shtatë minuta kohë për të formuluar argumentet e tyre, me qëllim mbrojtjen ose kundërshtimin e një çështjeje në një debat.

Faza e fundit për ditën e parë ishte “Improptu challenge”, ku nxënësit kishin 30 sekonda kohë të përpunonin mendimet e tyre në lidhje me një pyetje që u ishte bërë dhe t’i prezantonin ato sa më qartë të mundeshin.

Ditën tjetër nxënësit u rikthyen në shkollë për të zhvilluar fazën e katërt: “Team spirit challenge”.  Në këtë fazë puna në grup ishte çelësi i fitores dhe ankthi bashkë me shpërqendrimin mund të ndikonin rezultatin. Kjo fazë përfshinte një test me alternativa, të cilin duhej ta plotësoje në grup dhe në kohë të limituar për çdo pyetje.

Më pas, fituesit e debateve të ditës së parë, do të konkurronin me njëri-tjetrin për të zgjedhur më të mirët.

Konkurrimi kaloi shumë shpejt dhe çasti i shumëpritur erdhi:Ceremonia e ndarjes së çmimeve. U ndanë medalje dhe u shkrepën qindra foto. Salla kumbonte prej brohoritjeve dhe duartrokitjeve përgëzuese. Ankthi i ëmbël ishte zëvendësuar prej kujtimeve të ngrohta të asaj fundjave të ethshme, plot emocione, dije dhe medalje fitoreje.

Punoi: Enia Xhaferraj

Drejtoi: Imelda Prençe

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *