Pas plot dhjetë ditësh të mbushura me aromë, shije, traditë gatimesh nga të gjitha trevat e vendit, java që lamë pas shënoi mbylljen e Panairit Ushqimor për këtë vit shkollor. Ishin pikërisht edukatorët dhe mësuesit ata që mbushën sallën e panaireve me gatimet e tyre në datën 8 nëntor, panair ky që ndoqi atë të vogëlushëve të kopshtit, të organizuar në datën 7 nëntor.

Reshjet e shiut nuk i penguan nxënësit gjatë gjithë këtyre ditëve të shkonin në sallën ku zhvillohet panairi dhe të blinin ushqimet e gatuara nga mësuesit, nga vogëlushët e kopshtit apo nga bashkëmoshatarët e tyre.

Krahasuar me vitet e tjera, ajo që ra në sy këtë vit, ishte përkujdesja për të sjellë në shkollë një gatim sa më të veçantë, si në shije, ashtu edhe në pamje. Shumë nxënës reklamuan mjaft këndshëm gatimet që sollën, duke tërhequr në këtë mënyrë vëmendjen e shumë blerësve.

Gjithsesi, motoja e tërë këtyre ditëve të panairit nuk ishte thjesht njohja me gatimet, blerja e ëmbëlsirave apo sjellja në shkollë e ushqimit më të shijshëm. Pas këtyre arsyeve qëndron ajo më e rëndësishmja, mbledhja e të ardhurave për familjet në vështirësi ekonomike. Me të hollat e grumbulluara do të blihen ushqime bazë, të cilat do të paketohen dhe do të shpërndahen nga anëtarët e klubit “Shpresa”. Shpresojmë që edhe këtë vit të ndihmojmë sa më shumë familje dhe të sjellim shpresë te sa më shumë fëmijë.

Falenderojmë të gjithë prindërit dhe mësuesit për mbështetjen. Falenderimi më i veçantë shkon për nxënësit, të cilët i dhanë ngjyra panairit me gatimet dhe buzëqeshjet e tyre.

Përgatiti: Erjona Saqe

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *