Shkolla jonë u përfaqësua më së miri në sezonin e radhës së emisionit ”Tangram”, programi zbavitës, edukues e promovues i talenteve të fëmijëve shqiptarë.
Andrea Bylykbashi, klasa e 6-të E, mori pjesë me projektin me temë ”Shqipëria më e mirë kur kontribuojmë më shumë për shkollat e reja”, realizuar me ndihmën e Bashkisë së Tiranës. Shkolla jonë i erdhi në ndihmë shkollës së re “Ardian Klosi”, duke dhuruar libra artistikë, dosje të cilkit të ulët, fletore dhe mjete për klubin e artit.
Daniel Bekteshi, 4B, u paraqit me projektin “Shqipëria më e mirë kur zbulojmë shkencën dhe teknologjinë e së ardhmes”, i cili solli ide te reja në perspektivën e përdorimit gjithnjë e më të avancuar të teknologjisë e sidomos të robotëve.
Dejon Bregu, 5G, me projektin “Shqipëria më e mirë kur duam e respektojmë njëri-tjetrin”, organizuar gjatë Javës së Bullizmit. Videoja e nxënësve të kësaj klase, ku kërcehej e këndohej një këngë që dënon padrejtësitë ndaj më të dobtëve, na ndërgjegjëson të gjithëve për këtë fenomen shumë të përhapur sot, sidomos tek fëmijët.
Enea Bedinaj, 5G, ”Shqipëria më e mirë kur mendojmë për të tjerët”. Ky projekt pasqyronte aktivitetet e bamirësisë të organizuara në shkollë, siç janë Panairet Ushqimore, përfitimet e të cilëve përdoren nga Klubi Shpresa për t’u ardhur në ndihmë njerëzve në nevojë.
Sara Papandilaj, 5D, me temën “Shqipëria më e mirë kur argëtohemi duke bërë art”, u prezantua me një pikturë plot fantazi, ku bari, shtëpitë e retë ishin prej ëmbëlsirash të ndryshme dhe krijonin idenë e qytetit perfekt, në të cilin të gjithë ëndërrojnë të jetojnë.
Livia Minea, 4E, me projektin ”Shqipëria më e mirë kur këndojmë për të”, hodhi idenë se këngët që përcjellin dashurinë për atdheun, zgjojnë tek ne ndjenjën patriotike dhe na bëjnë më të butë e më bujarë në raport me të tjerët.
Rei Korkuti, 8E, ”Shqipëria më e mirë në duart e artistëve të vegjël”. Mesazhi i këtij projekti ishte rëndësia e artit të pikturës, si përçuese e simbolikave që shpesh reflektojnë në mënyrën se si e shohim jetën dhe situatat që ajo na vë përpara çdo ditë.
Petrit Allmuça, 5A, “Shqipëria më e mirë kur mësojmë të programojmë në Scratch”. Përmes këtij programi kompjuterik e lehtësisht të kuptueshëm nga fëmijët, ai kishte arritur të krijonte vetë disa lojëra, mes të cilave edhe “Loja me arushin Panda”, e cila përmban 12 sfonde dhe shoqërohet me muzikë.
Përgatiti: Elda Rrustemi