Në 28 tetor, ishte qyteti i Shkodrës që mikpriti në një ekskursion mësimor dhe zbavitës nxënësit e klasave të 8-ta.
Nisja u bë nga ambientet e kolegjit, në një atmosferë tejet të gëzuar.
Përpara nisjes nxënësit vizituan Panairin e Ushqimeve të klasave të 6-ta, si për të mos e humbur dhe këtë kënaqësi. Muzika e mirë dhe shakatë, të cilat nuk mungojnë kurrë në udhëtime të tilla, ishin bashkëshoqëruese të gjithë udhëtimit.
Ndalesa e parë në qytetin e Shkodrës ishte kalaja e Rozafës, me madhështinë dhe lashtësinë e saj, simbol i qëndresës së këtij qyteti. Bukuria e saj, muzeu dhe skulptura në hyrje të muzeut, e cila interpreton shumë bukur dhe përjetëson edhe legjendën e kalasë shekullore, u fiksuan në fotot e shkrepura dhe pozat e shumta.
Dreka u shijua në një restorant tradicional, i cili ndodhej buzë lumit Buna, nga ku u sodit edhe bukuria që i fal lumi këtij qyteti.
Por emocionet më të mëdha, nxënësit i përjetuan në vazhdim të ekskursionit, te kompleksi Perla afër liqenit të Vaut të Dejës, në një lojë zbavitëse me erën e furishme.
Rrugëtimi për në Tiranë ishte i qetë e pa shumë zhurmë. Të gjithë kishin kaluar një ditë të lodhshme, por të mbushur me momente të gëzueshme e pse jo, me dëshirën për t’u rikthyer sërish në vendet e shumta turistike e tërheqëse që ky qytet ofron.
Përgatiti nxënësja: Enisa Dalipi
Udhëhoqi mësuesja: Imelda Prenҫe