Një ndër aktivitetet më të rëndësishme që zhvillohet çdo vit në shkollën tonë është Java e Matematikës, e cila këtë vit mori përmasa të veçanta. Gjatë kësaj jave organizohen një sërë aktivitetesh dhe lojërash matematikore dhe logjike. Java e matematikës u zhvillua nga data 13 deri në 17 shkurt. Aktivitetet që u zhvilluan ishin: lojërat si ( Sudoku, Jenga, IQ test ). Në konkurset e prezantimet e ndryshme, nxënësit praktikojnë njohuritë e tyre mbi këtë lëndë dhe në të njëjtën kohë zbaviten.
Njohuritë dhe kuriozitetet e ndryshme në lëndën e matematikës, nxënësit i kanë paraqitur dhe nëpërmjet posterave, trupave gjeometrikë, miniatura ndërtesash të njohura të bëra prej tyre, konkursi dizajn dhe projekt 3d, si dhe bluzave me thënie të ndryshme për lëndën e matematikës.
Në stendat e klasave u paraqitën çdo ditë pyetje matematikore, të cilat nxënësit i zgjidhën gjatë pushimit midis orëve mësimore.
Një risi për Javën e Matematikës ishte konkursi i pikturës me temë “Matematika”. Në këtë konkurs, nxënësit imagjinatën e tyre e kanë shfaqur të kombinuar me njohuritë në matematikë, duke krijuar piktura shumë të veçanta.
Kjo javë u mbyll me një koncert, në të cilin solistet e shkollës sonë, kënduan këngë me tekste të përshtatura për matematikën dhe në të cilin u ndanë dhe certifikata për nxënësit e dalluar gjatë kësaj jave.
U urojmë shumë suksese nxënësve tanë në të tjera aktivitete po kaq interesante!
Përgatiti: Breana Shehetila
Udhëhoqi: Imelda Prençe