Nxënësit e klasave të treta ishin pjesë e një udhëtimi treditor në Maqedoni e Kosovë.
Rrugëtimi nisi me udhëtimin drejt qendrës turistike “Kodra e Diellit”. Çdo gjë ishte e veçantë, ngjitja në malin më të lartë të Maqedonisë, akomodimi në hotel “Scardus”, pastaj lojërat me slita e me topa bore, klima malore dhe ushqimet e shijshme.
Shëtitja vazhdoi vrullshëm e me entuziazëm drejt Shkupit legjendar, me ndërtesat e vjetra dhe monumentet historike, me vizitën në një qendër tregtare, dhe shumë aktivitete të tjera.
Qyteti i tretë që mirëpriti fëmijët ishte Prizreni ose ndryshe “qytet-muzeu” i Kosovës. Fillimisht vizituan shtëpinë ku u mbajt Lidhja e Prizrenit dhe më pas shëtitën nëpër qytet, për të shijuar gjithë trashëgiminë kulturore të tij dhe shtëpitë ende me stilin e dikurshëm e karakteristik të ndërtimit. Shëtitja me tren i kënaqi pa masë. Ashtu të gëzuar siç ishin, fëmijët vetëm këndonin e qeshnin me njëri-tjetrin.
Pasi shijuan të gjitha bukuritë dhe ndjesitë që ky udhëtim u dhuroi, u kthyen në qytetin e tyre, të pasuruar me dije dhe emocione të reja.
Përgatiti: Elda Rrustemi