Kreu / Klubet & Afterschool
Me fillimin e vitit të ri shkollor dhe maratonës së aktiviteteve, një rëndësi e veçantë në shkollën tonë u kushtohet zhvillimit të klubeve, të cilat janë mjaft të preferuara nga të gjithë nxënësit. Përzgjedhja e klubeve bëhet sipas dëshirës dhe prirjeve që ka secili fëmijë, në bashkëpunim me prindin ose kujdestarin ligjor. Ato zhvillohen dy herë në javë në orarin 14:15-15:00 nga mësues specialistë. Qëllimi i klubeve është jo vetëm argëtimi i fëmijëve, por edhe zbulimi dhe zhvillimi i talenteve e prirjeve që ka secili prej tyre. Pas përfundimit të orarit të klubeve, shkolla mundëson transport. Në fund të çdo tremujori, nxënësit pjesëmarrës në klube vlerësohen me certifikata.
Programi "Afterschool" ka rezultuar shumë i suksesshëm, për të gjithë nxënësit pjesëmarrës në të, gjatë katër viteve që aplikohet në shkollën tonë. Ai zhvillohet nga e hëna në të premte, pas mësimit, në orarin 14:15-16:00, nga klasa e parë deri në klasën e shtatë. Shkolla mundëson dhe transport. Gjatë këtij programi, nën mbikëqyrjen e mësuesve, nxënësit organizohen në grupe të vogla të ndara sipas grupmoshave dhe kryejnë detyrat e shtëpisë. Mësuesit mbikëqyrës janë mësues të shkollë sonë, ku për ciklin fillor janë mësues kujdestarë të klasave të ndryshme, kurse për ciklin 9-vjeçar janë mësues të lëndëve: Gjuhë shqipe, Matematikë, Anglisht, Biologji dhe Fizikë. Në afterschool, nxënësit realizojnë përfundimin e detyrave të shtëpisë dhe përmirësojnë arritjet e tyre në të gjitha lëndët mësimore, gjithashtu përforcojnë sjellje të mirë në klasë, shkollë, shoqëri etj.
Festat e klasave dhe koncertet artistiko-kulturore gjatë vitit shkollor, kanë vlera të mëdha për nxënësit. Ato janë një mënyrë për të shfaqur kulturën dhe traditat e shkollës, për të krijuar ndjenjën e bashkëpunimit mes mësuesve, nxënësve dhe prindërve, si dhe për të zhvilluar te nxënësit artin e të folurit në publik, përcjelljen e emocioneve përmes këngës, aktrimit apo kërcimit dhe përballjen e tyre me skenën dhe spektatorin. Çdo fundvit shkollor, si një festë përmbyllëse zhvillohet Festa e Klasës, duke nisur nga festa e Abetares për klasat e para dhe duke vazhduar me të gjitha klasat e tjera të ciklit fillor. Në të marrin pjesë të gjithë nxënësit e klasës, ku secili fëmijë shfaq arritjet e tij në interpretim, këngë dhe kërcim. Gjithashtu, gjatë vitit shkollor me rastin e Festave të Nëntorit dhe të 7-8 Marsit, organizohen shfaqje artistike, ku marrin pjesë nxënës nga klasat e para deri në të nënta, duke përcjellë mesazhe dashurie për nënat, atdheun dhe gjuhën shqipe. Festat e klasave dhe shfaqjet artistiko-kulturore sjellin kënaqësi dhe argëtim për nxënësit, ku përballja me publikun dhe performancat në skenë rrisin vetëbesimin dhe sigurinë në vetëvlerësimin e tyre.
Rruga Bernardin Palja, Ndertesa 15, Hyrja 1 Njesia Bashkiake Nr.6, Tirana, Albania