Mbyllet shkolla.
Të gjithë me pushime!
Nxënësit e klasave të nënta mund të tërheqin dëftesat
Me njoftimin e rezultateve të provimit të lirimit të matematikës zyrtarisht u mbyll çdo veprimtari në shkollën tonë. Ndërkohë rezultatet e gjuhës shqipe dhe angleze ishin publikuar disa ditë më parë.
Ndërkohë që paralelet e tjera prej kohësh i kishin marrë dëftesat, klasave të nënta iu desh të prisnin notat e provimeve të lirimit. Bashkë me mbërritjen e këtyre të fundit u plotësuan edhe dëftesat e nxënësve të klasave të nënta të cilët mund të vijnë t’i tërheqin prej sekretarisë duke nisur nga data 3 korrik 2015, ora 09:00-13:00.
Por nxënësit e klasave të nënta mund të tërheqin edhe një kopje të CD-së me filmimin e programit të mini-maturës i cili u zhvillua në ditët e fundit të shkollës.
Tashmë në shkollë nuk ka asnjë zë nxënësi. Zilet që thërrasin në mësim kanë heshtur. Në tabela nuk shkruhet më. Tek-tuk ndonjë vizitor pyet në sekretari.
Të gjithë janë me pushime dhe po shijojnë ditët e nxehta të verës. Ne, si gjithnjë, ju urojmë pushime të këndshme dhe mos harroni që shoqëruesi më i mirë për pushime është libri…