Në emisionin Tangram, që transmetohet në televizionin Ora News ishte e ftuar nxënësja Vivien Shkodra, e cila foli mbi projektin “Letër vetes sime 35 vjeçare”, projekt i shkollës “Turgut Özal”,  në të cilin sikurse dihet, kanë marrë pjesë nxënësit nga klasat II-IX. Vivien, e cila është nxënëse e klasës së 7-të, lexoi letrën që i kishte drejtuar vetes së saj. Në këtë letër ajo kishte shprehur dëshirat dhe ëndrrat e saj. Xhirimet për projektin e saj u zhvilluan në ambientet e shkollës dhe në bazë të skenarit ishte Vivien tek shfaqej si vajza në klasë të shtatë duke shkruar letrën dhe më pas, në moshën 35 vjeçare, duke e lexuar atë dhe duke kujtuar dëshirat dhe këshillat, që i pati dhënë vetes shumë vite më parë.

Ekipi i “Ora News” erdhi në ambientet e shkollës sonë, ku bëri xhirimet për prezantimin mjaft unik të projektit.  Klubi i Medias bisedoi me ekipin e xhirimit  dhe i pyeti se cili mund të ishte projekti fitues sipas mendimit të tyre, meqënëse përveç projektit “Letër vetes sime 35 vjeçare”, janë dhe tre projekte të tjera. Përgjigja e tyre ishte se të katërt projektet janë unikë përsa i përket mesazhit që përcjellin dhe për ta të gjithë janë fitues, pavarësisht se kush do të votohet me shumë.

Gjate transmetimit të emisionit drejtuesja  dhe të ftuarit e përgëzuan dhe shprehën entuziazmin e tyre për idenë e këtij projekti si dhe për vlerat e rëndësishme që përfaqësoi Vivien me anë të letrës së saj, ku spikasnin dëshira  për t’u bërë një arkitekte e zonja dhe mbështetja nga familja si gjëja më e rëndësishme për realizmin e ëndrrave.

Vivien u intervistua nga Klubi i Medias për të treguar përvojën e saj në këtë emision. Ajo e quajti pjesëmarrjen në këtë emision si një eksperiencë të bukur gjatë së cilës kishte përjetuar emocione të veçanta.

Ne e përgëzojmë Vivien, pasi pjesëmarrja e saj në këtë emision ishte një përfaqësim dinjitoz për të gjithë nxënësit e shkollës “Turgut Özal” që morën pjesë në këtë projekt.

Tangram ka shpallur një votim për projektin më të mirë, ku përveç projektit “Letër vetes sime 35 vjeçare”, janë edhe tre projekte nga shkolla të tjera.

Për projektin “Letër vetes sime 35 vjeçare” televizioni ka vënë në dispozicion të teleshikuesve kodin e votimit Vivien nr 12, i cili duhet të dërgohet në numrin e telefonit 069 358 8830.

 

Përgatiti: Breana Shehetila

Udhëhoqi: Imelda Prençe

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *