Me trokitjen e Tetorit, Muajit të Artit dhe Letërsisë, në shkollën tonë fillon një maratonë aktivitetesh e konkursesh. Konkurset e Fjalës Artistike, Krijimit, Këngës, Artit Skenik dhe Artit figurativ, janë nga veprimtaritë më të dashura për nxënësit.
Motoja “Gjuha mban gjallë shpirtin e një kombi”, do të shoqërojë aktivitetet kryesore që do të zhvillohen përgjatë këtij muaji.
Gjatë kësaj periudhe, klasat, korridoret dhe ambientet e tjera shkollës janë si një ekspoze fantazie shumëngjyrëshe e punëve plot pasion të nxënësve në projekte 3D, postera, portrete, vizatime, albume etj. Në mjediset e shkollës vihet re fryma patriotike dhe jo vetëm.
Gjithashtu nxënësit mund të shprehin veten e tyre në konkurset e artit pamor, interpretimit dhe krijimit, ku u jepet mundësia të shpalosin aftësitë dhe talentet e tyre. Është krijuar tashmë një traditë, të cilën brezat e ardhshëm do ta pasurojnë e do ta zhvillojnë më tej.
Takimet dhe bisedat me shkrimtarë për fëmijë dhe personalitete të artit dhe kulturës, do të jenë po ashtu pjesë e aktiviteteve që janë planifikuar të zhvillohen nga Drejtoria e shkollës dhe Katedra e Gjuhës shqipe dhe letërsisë, për t’i dhënë këtij muaji sa më shumë ngjyra e jetë.
Rruga e Dijes është e gjatë dhe e vështirë, por ajo bëhet e bukur kur të shoqëron pasioni…
Punoi: Amina Haka
Udhëhoqi: Imelda Prençe