Vjeshtës po i vjen fundi, por koha e ngrohtë, rrezet e diellit vjeshtak dhe bukuria që ka kjo stinë na ftojnë të gjithëve të kalojmë sa më shumë momente në natyrë duke shijuar këto mrekulli të stinës.
Ishin nxënësit e klasave të dyta, të cilët shkuan në një ekskursion të paharruar në Pezë. Atje i priti ajri i pastër, ndjesia e lirisë, gjelbërimi në ikje i Parkut të Pezës dhe të qeshurat e çiltra që i shoqëronin gjithandej. E veçantë ishte dhe ekspedita në mal. Nxënësit bashkë me mësuesit u ngjitën në mal me emocione dhe me paksa frikë nga pas. Pasi shijuan panoramën e bukur që shtrihet nga lartësia, nxënësit u ulën dhe shijuan duke ndarë me njëri-tjetrin ëmbëlsirat e bëra në shtëpi.
Nuk mund të mungonin as lojërat me top, tërheqje litari, gara shpejtësie dhe kalime pengesash, të cilat shoqëroheshin dhe me shpirtin e garës dhe dëshirën për fitore. Meqë jemi në kohë vjeshte argëtim i pandashëm ishte edhe ngritja e balonave.
Kjo ditë kaloi plot zbavitje dhe emocione të paharrueshme, të cilat do të mbeten gjatë në mendjet e vogëlushëve.
Punoi: Meri Berisha
Drejtoi: Imelda Prençe