Ne varemi prej energjisë elektrike pothuajse çdo minutë të ditës dhe ende për shumë prej nesh ajo është një forcë misterioze dhe magjike. Edhe pse elektriciteti përdoret si burim energjie prej afro 100 vitesh, për shumë njerëz parimet themelore të tij janë ende të paqarta. Për të kuptuar praktikisht këto parime, nxënësit e klasave të katërta në bashkëpunim me mësuesen e tyre të lëndës së Diturisë, Mirela Veci, ndërtuan qarkun elektrik. Fillimisht ata panë foto dhe diskutuan rreth tyre dhe më pas u njohën me pjesët përbërëse të këtij qarku. Të shtyrë nga kurioziteti dhe dëshira për të ndezur vetë një llambë, ata të gjithë e provuan vetë ndërtimin e një qarku të thjeshtë elektrik duke përdorur mjetet që kishin sjellë me vete. Në fund klasa ndriçoi edhe më tepër nga të gjitha dritat e ndezura njëherësh dhe nga fytyrat e lumtura të nxënësve.