Nxënësit e klasave 6, 7 dhe 8 e kanë nisur shkollën duke u kthyer nga pushimet dimërore me një kujtim të veçantë më shumë, atë të shkollës dimërore në Londër.
Në këtë shkollë, gjatë paraditeve u zhvilluan orë mësimore në gjuhën angleze nga mësues vendas, ndërsa orët e pasditeve dhe mbrëmjeve u kaluan me shëtitje nëpër qytet si dhe me lojëra dhe aktivitete sportive në ambientet e hotelit.
Gjatë shëtitjeve nëpër qytet nxënësit patën mundësinë të vizitonin vende turistike si Big Ben, Hyde Park, London Bridge, London Eye, Tower Bridge, Trafalgar Square, Buckingham Palace, Westminster dhe Royal London, Natural History Museum, Arsenal Stadium, etj.
Argëtim më vete përbënë edhe London city tour, shëtitja me traget në lumin Tamiz, vajtja në IMAX kinema, garat me makina në Go Kart, pazari në Oxford Street apo noti në pishinë.
Gjithashtu, vend të veçantë në këtë shkollë dimërore zuri shëtitja në Woburn Safari Park, ku fëmijët panë nga afër shumë lloje kafshësh të vendosura në një territor prej 150 ha të Berdforshir-it, si dhe vizita në qytetin e vjetër të dijes, Oxford City dhe Oxford University.
Përvetësimi i një gjuhe të huaj bëhet më i plotë dhe më i shpejtë nëse jeton në atë vend, shëtit në rrugët e tij, njeh kulturën dhe traditat, njerëzit, historinë dhe gjithçka që ka të bëjë me këtë vend. Shkolla dimërore në Londër e kreu më së mirë këtë mision me nxënësit e klasave 6,7,8, duke u dhënë kështu mundësinë këtyre fëmijëve të përjetojnë realisht jetën e një nxënësi të këtij qyteti europian.
Përgatiti: Erjona Saqe