Panairi i Ushqimeve

Të ndihmojmë në krijimin e një bote më të mirë dhe me më pak varfëri dhe vuajtje

Panairi i Ushqimeve  është një nga aktivitetet më humane, i zhvilluar nga përfaqësuesit e Klubit “Shpresa” në bashkëpunim me Drejtorinë e kolegjit “Turgut Özal”, me qëllimin madhor: krijimin e një bote më të mirë e me më pak varfëri dhe vuajtje. 

Ky aktivitet i përvitshëm, ka si synim ndërgjegjësimin e të gjithë nxënësve se: “Të ndihmosh dhe të sjellësh sadopak ndryshim në jetën e dikujt, fal lumturi e shpresë. Të dhurosh, të jep më shumë kënaqësi se të marrësh!”

Ky organizim kërkon aktivizimin vullnetar të të gjithë nxënësve për grumbullimin e sa më shumë të ardhurave me anë të shitjeve të produkteve të ndryshme ushqimore ,në mënyrë që t’u vijnë në ndihmë njerëzve në nevojë. 

Të frymëzuar nga shprehja e Nënë Terezës: “Ne nuk mund bëjmë gjëra të mëdha, por gjëra të vogla me shumë dashuri”, nxënësit nga të gjitha klasat angazhohen për të sjellë ushqime të përgatitura në shtëpi me ndihmën e prindërve dhe gjysheve.  

Këtë panair e hapën  klasat e nënta dhe do të vazhdojë përgjatë gjithë muajit tetor, sipas kalendarit dhe organizimit me të gjitha paralelet.

Të gjithë përpiqen të shesin me plot optimizëm për të fituar, duke mos harruar të argëtohen.Ëmbëlsirat dhe ushqimet e servirura në tavolina janë të parezistueshme. Ato tregojnë seriozitetin e nxënësve të shkollës sonë në këtë aktivitet bamirësie, si edhe dëshirën e madhe  për të kontribuar sadopak në “Klubin Shpresa”.

Ndihmat e mbledhura nga ky panair do të shpërndahen nga vetë nxënësit e Klubit Shpresa për familjet në nevojë, fëmijët e jetimores, fëmijët me aftësi ndryshe, në spitalet për fëmijë dhe për fëmijët e policëve të rënë në krye të detyrës.

Falenderojmë nxënësit e shkollës “Turgut Özal”, prindërit e tyre dhe stafin organizues për realizimin e këtij misioni human dhe u urojmë atyre një vazhdimësi sa më të begatë të kësaj tradite që fal kaq shumë dashuri dhe buzëqeshje. 

Shpresojmë që kjo traditë të jetë një shembull i mirë për të gjithë moshatarët tanë!

Punoi: Daris Naska 

Drejtoi: Imelda Prençe